Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel. Gjatë takimit, ai i dorëzoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, raporton “Bota sot”.
Biseda u përqendrua te gjetjet e raportit, detyrat që e presin Kuvendin dhe hapat e nevojshëm për integrimin evropian të Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një postim në Facebook, Haxhiu bëri të ditur se kanë folur për përshpejtimin e reformave dhe përparimin në fushat ku raporti ka evidentuar ngecje. Sipas saj, kthimi i Kuvendit në punë krijon mundësinë që këto reforma të marrin një ritëm të ri.
Haxhiu tregoi se në takim u trajtuan posaçërisht Agjenda e Reformave, Plani i Rritjes dhe përmbushja e detyrimeve brenda afateve. Pjesë e diskutimit ishte edhe shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ajo shprehu gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit dhe Zyrës së BE-së, veçanërisht në procesin legjislativ dhe në mbikëqyrjen e zbatimit të reformave. Haxhiu theksoi se rruga drejt BE-së kërkon punë të pandërprerë, përkushtim dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet, ndërsa u shpreh e bindur se bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët mund të sjellin përparim të dukshëm në reformat që u nevojiten vendit dhe qytetarëve.






