Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Raporti i Komisionit Evropian (KE) për Kosovën për vitin 2026 pasqyron një situatë shqetësuese në sundimin e ligjit, në punën e institucioneve demokratike dhe në jetësimin e reformave.
Në vlerësimin e institutit, dokumenti konfirmon se vendi vijon të përballet me vështirësi të rënda e të përsëritura. Edhe pse të njëjtat çështje janë ngritur në raportet e mëparshme, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur t’u japin zgjidhje të qëndrueshme.
Të lidhura
None found
IKD thekson se këto konstatime nuk përfaqësojnë mangësi të veçuara të një periudhe njëvjeçare. Ato pasqyrojnë vazhdimin e problemeve strukturore, zvarritjen e reformave dhe mungesën e përgjegjësisë institucionale. Pavarësisht se KE-ja prej vitesh evidenton pothuajse të njëjtat sfida, ndërhyrjet e deritanishme nuk kanë sjellë ndryshime thelbësore.
Situatën e ka rënduar kriza politike dhe institucionale që e shoqëron Kosovën prej zgjedhjeve të shkurtit 2025. Pengesat në punën e institucioneve, përsëritja e zgjedhjeve dhe zvarritja e vendimmarrjes kanë frenuar reformat e nevojshme, me pasoja negative për agjendën e integrimit evropian.
Gjyqësori pa përparim, pas tri vitesh me progres të kufizuar
Ndër konstatimet më të rënda të raportit të vitit 2026, IKD veçon vlerësimin se gjatë periudhës së raportimit nuk është arritur progres në funksionimin e gjyqësorit. Kjo shënon një përkeqësim ndaj tri viteve paraprake, gjatë të cilave përparimi ishte cilësuar i kufizuar. Komisioni ka ngritur gjithashtu shqetësime për zhvillimet në respektimin e të drejtave themelore dhe në funksionimin e drejtësisë.
Në vend që reformat të konsolidohen, drejtësia vijon të ndeshet me probleme që prekin pavarësinë, llogaridhënien, efikasitetin dhe funksionimin e institucioneve të saj.
Vëmendje të posaçme kërkojnë gjetjet për ndikime të papërshtatshme politike dhe ekonomike mbi sistemin e drejtësisë. Sipas IKD-së, shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë pa gjykata dhe prokurori të pavarura, ndërsa tentativat për ndërhyrje apo ndikim dëmtojnë besimin e publikut te drejtësia.
Në raportin e BE-së për Kosovën, korrupsioni në nivele të larta, ndikimi mbi drejtësinë dhe çështjet ende të pazgjidhura vijojnë të renditen ndër shqetësimet.
Instituti i lidh problemet e vazhdueshme të evidentuara nga KE-ja edhe me vonesat në miratimin e zbatimin e reformave, përfshirë legjislacionin që buron nga procesi i reformës sipas deklaratës së përbashkët të zotimeve. Sipas tij, nisja e një reforme apo miratimi i saj vetëm në aspektin formal nuk mjafton për ta cilësuar të suksesshme.
Përpjekjet kundër korrupsionit ende pa rezultate të qëndrueshme
Përparimi në luftën kundër korrupsionit mbetet i kufizuar edhe në këtë raport. Ky vlerësim tregon se angazhimi i institucioneve nuk është përkthyer ende në rezultate të qëndrueshme, sidomos për korrupsionin e nivelit të lartë.
Për IKD-në, një kuadër i përshtatshëm ligjor është vetëm një pjesë e asaj që nevojitet për ta luftuar efektivisht korrupsionin. Krahas tij kërkohen institucione të pavarura, hetime profesionale, ndjekje penale efektive dhe vendime përfundimtare të gjykatave. Përmirësimi i disa treguesve nuk e zëvendëson domosdoshmërinë e rezultateve të matshme dhe të qëndrueshme në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë.
KE-ja vëren gjithashtu se Kosovës ende i mungojnë një kornizë strategjike gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje koherente për fuqizimin e përpjekjeve në këtë drejtim.
Fakti që raportet e Komisionit përsërisin mungesën e një përparimi domethënës në këtë fushë, sipas IKD-së, duhet t’i alarmojë institucionet përgjegjëse dhe t’i shtyjë drejt masave konkrete për korrigjimin e gjendjes.
Kriza në Kuvend dhe Qeveri frenoi proceset reformuese
Dokumenti i vitit 2026 e identifikon krizën e zgjatur institucionale si pengesë për reformat që lidhen me integrimin evropian. Paqëndrueshmëria politike dhe puna jo e rregullt e institucioneve kanë prekur hartimin e miratimin e ligjeve, kontrollin parlamentar dhe zbatimin e politikave publike.
Roli qendror në përfaqësimin demokratik, ligjvënie dhe mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë i takon Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, aftësia e tij për t’i përmbushur me efektivitet këto detyra është dobësuar nga krizat e njëpasnjëshme politike.
Edhe institucionet ekzekutive, për shkak se nuk kanë funksionuar plotësisht dhe në mënyrë të qëndrueshme, nuk kanë mundur të sigurojnë avancimin e reformave, përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare dhe zbatimin e agjendës evropiane.
IKD kundërshton që përgjegjësia për këtë situatë të kufizohet vetëm te rrethanat politike. Sipas institutit, institucionet dhe subjektet politike mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të krijuar kushtet e funksionimit demokratik, për të respektuar Kushtetutën dhe për të garantuar vijimësinë e reformave.
Administrata publike mes përparimeve të pjesshme dhe mangësive strukturore
Për reformën e administratës publike, KE-ja konstaton disa hapa përpara, por vëren se problemet strukturore nuk janë tejkaluar. Angazhim i mëtejshëm institucional nevojitet për profesionalizimin e shërbimit civil, punësimet sipas meritës, llogaridhënien dhe zbatimin efektiv të reformave.
Instituti e konsideron administratën profesionale dhe të çliruar nga ndikimi politik si kusht për qeverisje efektive dhe për zbatim të qëndrueshëm të ligjeve e politikave publike. Në mungesë të kapaciteteve të qëndrueshme institucionale dhe respektimit të meritokracisë, edhe reformat që marrin miratim rrezikojnë të mos shkojnë përtej formalitetit.
Në dokument përfshihen edhe kritikat e shoqërisë civile lidhur me jotransparencën dhe parregullsitë gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së dhe RTK-së. Po ashtu, evidentohen shqetësimet për vendimet dhe gjobat që KPM-ja u ka vendosur mediave, ligjshmëria e të cilave është kundërshtuar.
Një shqetësim i veçantë është fakti se Bordi i Ankesave i KPM-së nuk funksionon që prej nëntorit 2023. Ndërkohë, RTK-ja mbetet në një krizë të rëndë financiare dhe pa një model financimi që garanton qëndrueshmëri e pavarësi.
Thirrje për përgjegjësi dhe rishikim të mënyrës së zbatimit të reformave
Mesazhin kryesor të Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, IKD e sheh te nevoja për ndryshim: Kosova nuk mund të presë rezultate të tjera duke ruajtur të njëjtën mënyrë veprimi ndaj reformave.
Dokumentet e njëpasnjëshme të KE-së kanë vënë në dukje mangësi të ngjashme në sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, administratën publike dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Rikthimi i vazhdueshëm i këtyre konstatimeve dëshmon se trajtimi i problemeve nuk ka pasur seriozitetin dhe efektivitetin e duhur.
Për këtë arsye, IKD i drejtohet Kuvendit, Qeverisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse me kërkesën për veprime konkrete në përmbushjen e rekomandimeve të KE-së. Instituti kërkon ndarje të qartë të përgjegjësive institucionale, përcaktim afatesh të matshme dhe mekanizma transparentë raportimi.
Në krye të prioriteteve, sipas IKD-së, duhet të jenë ndërhyrjet që fuqizojnë pavarësinë dhe llogaridhënien e gjykatave e prokurorisë, sjellin rezultate më të mira kundër korrupsionit, mundësojnë punën efektive të Kuvendit dhe Qeverisë dhe çojnë përpara profesionalizimin e administratës publike.
Instituti thekson se raporti i vitit 2026 duhet marrë si një thirrje serioze për ta ndryshuar qasjen e institucioneve. Në vend të premtimeve të përsëritura për reforma, Kosovës i duhen institucione që funksionojnë, përgjegjësi politike dhe rezultate që mund të maten.
Sipas vlerësimit të IKD-së, vijimi i ngecjes dhe rëndimi i situatës në disa fusha të sundimit të ligjit nuk cenojnë vetëm rrugën e integrimit evropian. Para së gjithash, ato dëmtojnë të drejtën e qytetarëve për drejtësi efektive, siguri juridike dhe qeverisje të përgjegjshme.





