Emërimet e fundit në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës kanë nxitur reagimin e Aleancës, e cila ka ngritur dyshime për nepotizëm dhe për lidhje familjare e politike të personave të emëruar.
Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Aleanca i ka kërkuar ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, të tregojë nëse është shfuqizuar Vendimi nr. 113/2024. Ky vendim, i nënshkruar më 23 prill 2024 nga ish-ministrja Donika Gërvalla, ndalonte punësimin në MPJD të familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve.
Të lidhura
None found
Aleanca thotë se vendimet e fundit të emërimit në shërbimin diplomatik janë nënshkruar nga Glauk Konjufca dhe pretendon se disa nga të emëruarit kanë lidhje familjare ose politike me figura të pushtetit.
Në reagim renditen pesë emra: Rina Dragidella në Uashington, Kaltrina Dalipi në Berlin, Vera Rexhepi Leci në Iowa, Lumturie Lipoveci në Hagë dhe Njazi Ajvazi në Kopenhagë. Për këto raste, Aleanca ngre pretendime si për lidhjet familjare e politike, ashtu edhe për mosplotësimin e kritereve dhe mosndjekjen e procedurave të gradimit diplomatik.
Krahas pyetjes nëse Vendimi 113/2024 është shfuqizuar zyrtarisht, Aleanca kërkon të dijë kur dhe përse mund të ketë ndodhur kjo. Ajo i kërkon gjithashtu Konjufcës të shpjegojë se si, sipas saj, përfaqësitë diplomatike të Kosovës po kthehen në vende sistemimi për njerëz të lidhur me pushtetin.
Aleanca paralajmëron se do të kërkojë llogaridhënie për çdo emërim dhe se nuk do të qëndrojë e heshtur përballë asaj që e quan nepotizëm në diplomacinë kosovare. Sipas saj, ndryshimi i parimeve dhe shkelja e ligjit në fuqi përbëjnë tradhtinë më të madhe ndaj profesionistëve të rinj dhe diplomatëve të karrierës.





