Çerkini reagon pas raportimeve për emërimin e tezes së saj në Ambasadën e Kosovës në Hagë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Krenare Çerkini, ka reaguar për “Bota sot” lidhur me raportimet për emërimin e tezes së saj, Lumturie Lipoveci, si këshilltare në Ambasadën e Kosovës në Hagë të Holandës.

Vendimi për emërimin e Lipovecit është nënshkruar më 20 maj 2026 nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Mandati i saj është katërvjeçar, ndërsa detyrën e ka filluar më 3 gusht 2026.

Të lidhura

None found

Çerkini ka hedhur poshtë pretendimet se pozita e saj si deputete ka ndikuar në emërimin e Lipovecit. Ajo ka thënë se tezja e saj ishte angazhuar në diplomaci shumë përpara se Çerkini të hynte në politikë dhe se mban post diplomatik prej gati një dekade. Sipas deputetes, kur Lipoveci nisi shërbimin në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ajo vetë ishte ende studente në Britani.

Duke folur për karrierën e Lipovecit, Çerkini ka kërkuar që angazhimi i saj shumëvjeçar në shërbim të Republikës së Kosovës të vlerësohet në kontekstin e përvojës së ndërtuar ndër vite.

Ajo ka kritikuar individë që, sipas saj, paraqiten si gazetarë me detyrimin për të raportuar drejt, por përpiqen ta keqinformojnë publikun. Çerkini e ka quajtur të papranueshme që puna gati njëzetvjeçare e Lipovecit në shërbim të Republikës së Kosovës të përdoret për sulme ndaj saj dhe Qeverisë.


Shtuar më 3.11.2026 21:45