Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi në Facebook se analizat e reja të ADN-së nga zhvarrosjet në Kalludër dhe Jabukë kanë konfirmuar identitetin e tre personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas Haxhiut, rezultatet e pranuara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tregojnë se mes mbetjeve mortore të gjetura në këto lokacione janë ato të Adem Ademit, Fatmir Fazliut dhe Ali Halitit, pjesëtarë të “Grupit të Intelektualëve”. Familjet e tyre kishin kërkuar për më shumë se 27 vjet të mësonin fatin e të afërmve dhe vendndodhjen e trupave të tyre.
Të lidhura
None found
Haxhiu tha se forcat serbe i kishin vrarë dhe varrosur fshehurazi për të zhdukur gjurmët e krimit. Ajo u shprehu ngushëllime familjeve Ademi, Fazliu dhe Haliti, si edhe solidaritet familjeve të tjera të këtij grupi dhe të gjitha familjeve në Kosovë që ende presin të mësojnë ku ndodhen të afërmit e tyre, të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit.
Kryetarja e Kuvendit kërkoi që Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera dhe të bëjë publike të gjitha të dhënat që zotëron për vendndodhjen e personave të zhdukur, përfshirë vendet ku mund të ndodhen varreza të tjera masive.






