Foshnja një vjeç e gjysmë, rasti i pestë i konfirmuar me fruth në Maqedoni

Numri i rasteve të konfirmuara me fruth në Maqedoni ka arritur në pesë, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Rasti i fundit është një foshnjë një vjeç e gjysmë.

Sipas të dhënave të deritanishme, sëmundja është konfirmuar te tre foshnje, një burrë 45-vjeçar dhe një shtetas i Kosovës.

Të lidhura

None found

Klekovski bëri të ditur se dyshohet për një lidhje mes rastit të shtetasit të huaj dhe tre rasteve te shtetasit e RMV-së. Për konfirmimin zyrtar të saj pritet analiza epidemiologjike e Institutit të Shëndetit Publik.

Ministri u kërkoi qytetarëve të verifikojnë nëse i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës kundër fruthit ose nëse e kanë kaluar më parë sëmundjen. Ai tha se nuk beson te vaksinimi i detyruar, pasi, sipas tij, masa të tilla vetëm sa shtojnë rezistencën e qytetarëve.

Duke kujtuar se fruthi është një nga sëmundjet virale më ngjitëse dhe se virusi mund të mbetet në ajër deri në dy orë, Klekovski këshilloi personat që vërejnë simptoma të telefonojnë mjekun. Sipas tij, ata nuk duhet të shkojnë drejtpërdrejt në një strukturë shëndetësore, ku mund të vënë në rrezik pacientë të tjerë.

Ai u bëri thirrje edhe prindërve që të mos i çojnë fëmijët në kopsht ose në shkollë nëse shfaqin simptoma të fruthit.


Shtuar më 3.11.2026 19:50