Egnatia dhe Teuta po e kthejnë betejën për pikët në “Abissnet Superiore” në një ndjekje gjithnjë e më të ethshme. Në prag të javës së 11-të, pas së cilës kampionati do të ndalet për ndeshjet e kombëtareve, profili i skuadrave pretendente po bëhet më i dallueshëm. Rrogozhinasit udhëheqin me 24 pikë nga 30 të mundshmet, kurse durrsakët janë rivalët më të afërt me 20 pikë.
Statusin e favorites kryesore për titullin e 4-të radhazi tashmë e mban skuadra e Nevil Dedes. Në favor të saj flet edhe përballja e drejtpërdrejtë me Teutën, të cilën Egnatia e fitoi 1-0 falë golit të Adjessa.
Të lidhura
None found
Kampionët në fuqi dhanë sinjalin e parë në këtë duel në largësi duke përmbysur Tiranën. Njëkohësisht, ndihma që u erdhi nga Partizani u shërbeu për të krijuar disi distancë nga kundërshtari i këtij sezoni në garën për titull. Për Egnatian, emri i rivalit mund të ndërrohet, por synimi mbetet i pandryshuar. Rrogozhinasit duket se mbështeten mbi një bazë të qëndrueshme, të cilën vështirë ta lëkundin edhe sfidat e kalendarit.
Nga krahu tjetër, Teuta vazhdon ta ndjekë me këmbëngulje objektivin e saj. Durrsakët kërkojnë të mbeten pranë kryesuesve dhe presin një hap të gabuar vendimtar të Egnatias për t’i marrë sërish vendin. Pikërisht kështu vepruan edhe rrogozhinasit, të cilët shfrytëzuan menjëherë gabimin e parë të Teutës, të ardhur aty ku nuk pritej.
Megjithatë, kjo “stinё gjuetie” është ende larg përcaktimit të skuadrës që do të gabojë më pak deri në mbyllje të maratonës së Superiores. Pikët vazhdojnë të jenë në lojë, kundërshtarët shihen si pre dhe vëmendja përqendrohet te mënyra se si do t’i ndërtojnë strategjitë dy trajnerët protagonistë, Nevil Dede dhe Edlir Tetova.
Instinkti i Dedes mund të jetë një prej arsyeve kryesore për karakterin e skuadrës së tij, që nuk pranon të dorëzohet. Tetova, ndërkohë, ruan qetësinë edhe pas dy disfatave. Në përputhje me qëndrimin që ka mbajtur zakonisht, ai nuk nxiton të flasë përpara kohe dhe e trajton garën me durim.
Pritshmëritë janë që faza e dytë të dhurojë edhe më shumë emocion sesa e para, ndërsa e treta mund të peshojë më shumë në përcaktimin e fundit të garës. Ajo që duket e sigurt është se, në ndjekjen e pikëve, si Egnatia, ashtu edhe Teuta do të përpiqen me çdo kusht të shmangin hapat e gabuar.






