Edon Zhegrova nuk do të përfshihet në listën e Juventusit për garat evropiane. Rregullat e UEFA-s nuk e lejojnë klubin torinez ta regjistrojë atë në vend të Manuel Locatellit.
Drejtori ekzekutiv i Juventusit, Giovanni Carnevali, e sqaroi këtë gjatë mbledhjes së aksionarëve: meqë Locatelli është futbollist i formuar në Itali, vendin e tij mund ta zërë vetëm një lojtar i së njëjtës kategori. Për këtë arsye, zgjedhja është Ekhator dhe jo Zhegrova.
Të lidhura
None found
Locatelli pritet të qëndrojë jashtë fushës deri në mars për shkak të lëndimit. Juventusi ka përdorur mundësinë që UEFA u jep klubeve për të ndryshuar listën kur një lojtar pëson lëndim serioz.
Në fillim të sezonit, as Zhegrova dhe as Jeff Ekhator nuk ishin përfshirë në listën fillestare të Juventusit për garat evropiane. Ekhator, sulmuesi i transferuar nga Genoa gjatë verës, ishte i lënduar në atë periudhë.
Tani Ekhator është rikthyer në dispozicion. Ai ishte pjesë e skuadrës për përballjen e së dielës me Napolin, të cilën Juventusi e fitoi 2-0 në Allianz Stadium.
Klubi torinez ka vendosur ta shtojë në listën e UEFA-s sulmuesin e lindur në vitin 2006, duke e vënë në dispozicion të trajnerit për vazhdimin e garave evropiane. Zhegrova, ndërkohë, mbetet jashtë listës pavarësisht mungesës së gjatë të Locatellit.






