Mbështetja e Gjermanisë për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Kosova ishte një nga çështjet që kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ngriti në Berlin gjatë takimit me Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Njoftimi për takimin bën të ditur se bisedimet u përqendruan tek integrimi evropian i Kosovës, veçanërisht te sigurimi i statusit kandidat dhe nisja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
Zulfaj vuri në dukje përparimin e konsiderueshëm që Kosova ka arritur në fushën demokratike dhe ekonomike përgjatë dekadës së fundit. Sipas tij, këto arritje duhet të përkthehen në hapa konkretë në procesin e zgjerimit të BE-së, duke u mbështetur në merita.
Megjithatë, sipas njoftimit, faza ku ndodhet aktualisht Kosova në rrugën drejt anëtarësimit nuk përputhet me përparimin e shënuar. Edhe pse kanë kaluar gati katër vjet nga paraqitja e aplikimit, ajo vazhdon të jetë i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka marrë statusin kandidat.
Në njoftim vlerësohet se mosmarrja e një vendimi nga BE-ja për këtë status është në kundërshtim me zotimin e bërë në Samitin e Selanikut, si edhe me deklaratat e përsëritura të Bashkimit Evropian mbi perspektivën e anëtarësimit të Kosovës.
Duke e cilësuar Gjermaninë një vend kyç të Bashkimit Evropian, kryenegociatori nënvizoi rëndësinë e një angazhimi aktiv të saj për të mundësuar marrjen e këtij vendimi nga BE-ja. Zulfaj gjithashtu i shprehu mirënjohjen ministrit Krichbaum për bisedën e hapur.








