Fitorja e Arkin Jahijit, kandidatit shqiptar në Bërvenicë, nxiti reagime që u shtrinë edhe përtej kësaj komune. Ziadin Sela, kryetar i Lidhjes Shqiptare, e përgëzoi Jahijin dhe tha se pas Bërvenicës synimi duhet të jetë rikthimi i Kërçovës dhe fitorja e parë shqiptare në Butel.
“Përgëzime për të gjithë shqiptarët e Komunës së Bërvenicës për fitoren e sotme, të arritur me vendosmëri, punë dhe përkushtim. Falënderim i veçantë për mërgatën, e cila edhe një herë tregoi forcën dhe dashurinë për atdheun. Fitorja në Bërvenicë është një lajm i madh dhe duhet të shërbejë si pikënisje për një angazhim po aq të rëndësishëm që na pret të gjithëve: rikthimin e Kërçovës dhe fitoren në Butel”, Ziadin Sela, kryetar i Lidhjes Shqiptare.
Të lidhura
None found
Mesazhi i Selës solli reagimin e kryetarit aktual të Butelit, Darko Kostovski. Në një postim në rrjetet sociale, ai përdori edhe krahasime nga sportet luftarake.
“Ziadin Sela ka thënë se Buteli është i radhës. Po, i radhës për një nokaut edhe më të fortë, që do t’ju ushtojnë veshët për gjashtë muaj! Buteli nuk është pre dhe këtu nuk ka vend për banditë që bredhin rrugëve dhe e shohin çdo hapësirë të gjelbër si shans për të ngritur një ndërtesë të re. Ajo periudhë ka marrë fund”, Darko Kostovski, kryetar i Butelit.
Kostovski shtoi se zhvillimi i Butelit nuk do të ndalet nga njerëz që, sipas tij, kanë “mentalitet të shekullit XIX”. Ai e quajti Selën të dobët në matematikë. Debati për matematikën dhe sportet luftarake, megjithatë, duket se do të marrë përgjigje përfundimtare pas tre vitesh, në zgjedhjet e ardhshme lokale, kur do të shihet se kush i ka bërë llogaritë siç duhet dhe kush do të numërojë deri në dhjetë pas një nokauti politik.








