Forcat e policisë kanë nisur kontrolle në disa adresa në Shtip dhe Shkup, si pjesë e një hetimi që prek një përgjegjës të sektorit të informatikës në Universitetin “Goce Dellçev” (UGD).
Ndaj tij rëndojnë dyshimet për shpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe për dëmtim dhe hyrje pa leje në sistemet kompjuterike.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, veprimet po kryhen me urdhër të gjykatës, të siguruar nga Prokuroria Themelore Publike e Shtipit. Objekt i hetimit janë veprat penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar” dhe “dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistemin kompjuterik”, për të cilat dyshohet se janë kryer nga R.T., i cili mban postin e përgjegjësit të sektorit të informatikës në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip. Autoritetet bëjnë të ditur se do të ketë informacion të plotë për publikun pas përfundimit të aksionit.
Në terren po veprojnë efektivë të Policisë Kriminalistike, të Sektorit për Punë të Brendshme në Shtip, të Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, si dhe të Sektorit për Krim Kompjuterik pranë MPB-së.
Rektori i Universitetit “Goce Dellçev” ka reaguar lidhur me këtë rast, duke theksuar se institucioni po bashkëpunon plotësisht dhe pa asnjë kufizim me Ministrinë e Brendshme dhe organet e prokurorisë, në mënyrë që çështja të zbardhet shpejt dhe në mënyrë të plotë.
Nga UGD theksojnë se kanë qasje zero ndaj korrupsionit dhe abuzimeve në mjedisin akademik, duke shprehur bindjen se raste të tilla synojnë forcimin e cilësisë dhe objektivitetit në arsim.
“Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë pjesëtarët e komunitetit akademik, veçanërisht studentët, stafin pedagogjik e administrativ, si dhe opinionin e gjerë, se UGD mbetet e përkushtuar ndaj vlerave themelore akademike, ndershmërisë dhe vërtetësisë, dhe vijon të jetë proaktive në luftën kundër fenomeneve devijante. Studentët dhe arsimimi i tyre janë në epiqendër të gjithë veprimtarisë sonë. Procesi mësimor, detyrimet akademike, kërkimi shkencor dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me një sërë universitetesh të njohura evropiane mbeten prioriteti ynë kryesor”, thuhet në reagimin e UGD-së.




