Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, foli sot për raundin e dytë të zgjedhjeve në Komunën e Bërvenicës. Ai tha se qëndrimi i VLEN-it ndaj kandidatit të AKI-së do të përcaktohet nga mënyra se si do të veprojë kjo parti.
Sipas Kasamit, pas përfundimit të raundit të parë, kandidati i VLEN-it shkoi në shtabin e AKI-së, ku i uroi fitoren dhe shprehu përkrahje. Megjithatë, angazhimi i VLEN-it në raundin e dytë, theksoi ai, varet nga fushata e AKI-së.
Të lidhura
None found
“Kandidati ynë ishte në shtabin e kandidatit të AKI-së, e përgëzoi për fitoren dhe i shprehu mbështetje. Por duhet të kemi parasysh se BDI-ja nuk hyri në raundin e dytë si fituese. Angazhimi ynë do të varet nga sjellja e BDI-së. Nëse fushatën e zhvillojnë kundër VLEN-it, këtë duhet ta sqarojnë”, deklaroi Kasami.
Ai kujtoi se një vit më parë kandidati i VLEN-it hoqi të gjithë flamujt partiakë dhe kërkoi mbështetjen e shqiptarëve, ndërsa sipas tij, kjo nuk po ndodh tani. Kasami shtoi se deklaratat e AKI-së dhe BDI-së paraqesin si të fituar VLEN-in.
“Nëse synimi i tyre nuk është të fitojnë Bërvenicën, por të mundin VLEN-in, atëherë po bëjnë fushatë që ta humbin komunën”, u shpreh ai.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Bërvenicë do të mbahet të dielën, më 1 nëntor./Telegrafi/






