Ambasada gjermane pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Mbrojtja e grave duhet të jetë përparësi e përbashkët

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë reagoi pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar intensifikimin e përpjekjeve për të parandaluar dhunën me bazë gjinore dhe për të zbatuar mekanizmat mbrojtës.

Në reagim, ambasada theksoi se kjo ngjarje tragjike dëshmon se femicidi nuk është i veçuar, por një problem serioz shoqëror dhe forma më ekstreme e dhunës ndaj grave, që kërkon përgjigje të vazhdueshme e të bashkërenduar. Sipas saj, siguria dhe mbrojtja e grave në rrezik duhet të jenë përparësi e përbashkët, e mbështetur me masa parandaluese efektive, ndërhyrje institucionale në kohë dhe shërbime mbështetëse të qasshme.

Të lidhura

None found

Ambasada rikujtoi se Kosova është palë në Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Ajo u bëri thirrje të gjithë akterëve përkatës të shtojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes dhe ndërtimin e një kulture ku dhuna as nuk tolerohet, as nuk shpërfillet.


Shtuar më 27.10.2026 19:37