Në Gjykatën e Kurorës në Winchester po gjykohen katër burra të akuzuar për vepra seksuale ndaj Joanne Young. Norman Macksoni, 48 vjeç, Richard Wilkins, 62 vjeç, Connor Sanderson-Doyle, 32 vjeç, dhe Mohammed Hassan, 38 vjeç, i kanë mohuar akuzat.
Sipas BBC-së, akuzat janë ngritur edhe ndaj ish-bashkëshortit të Joanne-s, Philip Young, 50 vjeç, ish-këshilltar, i cili ka pranuar se e drogoi dhe e përdhunoi për 13 vjet.
Të lidhura
None found
Prokurorja Sarah Jones KC i tha jurisë se çështja shqyrtonte “nëse është ndonjëherë e arsyeshme të kryesh marrëdhënie seksuale me një grua të panjohur, pa marrë më parë pëlqimin e saj”.
Joanne Young ka hequr dorë nga e drejta për anonimitet. Ajo i kishte thënë policisë se, sipas dijenisë së saj, marrëdhënia seksuale me bashkëshortin kishte qenë “mjaft normale” dhe “gjithmonë monogame”.
Megjithatë, ajo tregoi se në një rast të vitit 2023 u zgjua e lidhur dhe me sytë e mbuluar, ndërsa një burrë që ajo mendonte se ishte bashkëshorti po kryente një akt seksual me të. Në gjykatë u tha gjithashtu se një tjetër burrë e kishte kapur për dore.
Jones shpjegoi se Joanne besonte që aktin po e kryente i shoqi, por në të vërtetë ai “po drejtonte një person tjetër të panjohur”, i cili “po zinte vendin e tij pa dijeninë e saj”. Prokurorja tha se Joanne kishte ndeshur vetëm “pjesën e dukshme të një problemi shumë më të madh në marrëdhënien e saj”, që ishte “shumë më ndërhyrës dhe tronditës”.
Sipas Jones, Young e kishte reklamuar të shoqen në Craigslist, Grindr dhe faqe interneti për shkëmbim partnerësh, duke kërkuar “të panjohur që të vinin e të flinin me gruan e tij”, në mënyrë që “kushdo të mund t’i bënte asaj çfarë të donte”.
Prokurorja tha se Young e paraqiste këtë si fantazi seksuale të përbashkët, por nuk kishte asnjë dëshmi nga Joanne që ta vërtetonte pretendimin. Përkundrazi, fotografitë e publikuara për reklamën e shfaqnin atë të palëvizshme, të lidhur në shtrat dhe me sytë e mbuluar.
Jones shtoi se pija që çifti konsumonte së bashku duket se kishte për qëllim ta çonte Joanne-n në një gjendje ku personat që përgjigjeshin ndaj reklamës mund të bënin çfarë të donin, ndërsa ajo nuk do të ishte në dijeni ose nuk do të mund të kujtonte asgjë.
Norman Macksoni, nga Sharnbrook, Bedfordshire, ka mohuar një akuzë për përdhunim në vitin 2017. Richard Wilkins, nga Toothill, Swindon, Wiltshire, është deklaruar i pafajshëm për akuza për përdhunim dhe sulm seksual me penetrim në vitin 2016.
Connor Sanderson-Doyle, nga Swindon, ka mohuar akuzat për sulm seksual me penetrim dhe prekje seksuale në vitin 2016. Mohammed Hassan, po ashtu nga Swindon, është deklaruar i pafajshëm për një akuzë për prekje seksuale në vitin 2023.
Philip Young ka pranuar fajësinë për 14 akuza për vajerizëm, pra vëzhgim të fshehtë të personave në situata intime; 11 akuza për përdhunim; 11 për administrim të një substance me qëllim të caktuar; shtatë për sulm seksual me penetrim; katër për sulm seksual dhe një për publikimin e materialit të pahijshëm.
Ndërmjet viteve 2010 dhe 2024, ish-këshilltari publikoi më shumë se 500 fotografi dhe video intime të ish-bashkëshortes. Ai gjithashtu e regjistroi atë duke kryer veprime private për kënaqësinë e tij seksuale, pa pëlqimin e saj.
Young, i cili më parë banonte në Swindon dhe tani jeton në Enfield të Londrës, pranoi edhe tri akuza për krijimin e imazheve të pahijshme të fëmijëve, një për posedimin e imazheve të ndaluara të fëmijëve dhe katër për posedimin e materialeve pornografike të natyrës ekstreme.
Dean Hamilton, 47 vjeç, nga Street, Somerset, i pandehuri i gjashtë, ka pranuar fajësinë për një akuzë për sulm seksual me penetrim, dy për sulm seksual dhe një për përdhunim. Young dhe Hamilton do të dënohen pasi të përfundojë gjyqi, i cili pritet të zgjasë deri në katër javë.





