Një 34-vjeçare nga Londra kërkoi ndihmë mjekësore pasi kolla e fortë dhe vështirësitë në frymëmarrje, që i kishte lidhur me COVID-19, nuk po i kalonin. Simptomat u zbuluan se ishin shenja të një sëmundjeje serioze.
Mikaela Rajli u diagnostikua me timomë të stadit të tretë, një lloj i rrallë kanceri që prek timusin, gjëndrën e vendosur në kraharor.
Të lidhura
None found
Edhe 19 ditë pas infektimit me koronavirus, ajo vijonte të kishte shqetësime, ndërsa dhimbjet dhe problemet me frymëmarrjen përkeqësoheshin. E shqetësuar, nëna e saj e nxiti të paraqitej në urgjencë. Ekzaminimet atje zbuluan një tumor 6.4 centimetra të madh.
Diagnoza nisi për të një periudhë të vështirë. Në atë kohë, Rajli ishte nënë e një djali tetëvjeçar. Përpara se të operohej, ajo kreu 21 cikle kimioterapie për të zvogëluar tumorin.
Në shtator të vitit 2021, në spitalin Guy’s në Londër, ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje komplekse që zgjati rreth pesë orë. Tumori ishte përhapur pranë zemrës dhe enëve të mëdha të gjakut, ndaj kirurgët hoqën masën dhe rindërtuan disa pjesë të enëve të gjakut, si edhe të perikardit, membranës që mbështjell zemrën.
Pesë vite nga diagnostikimi, Rajli e ka mposhtur sëmundjen. Mjekët thonë se ajo është shëruar dhe vazhdon të jetë pa kancer. Pas trajtimit, ajo u bë nënë edhe e një vajze, pa iu nënshtruar trajtimeve të fertilitetit. Megjithatë, përpara kimioterapisë kishte ngrirë vezët, për të ruajtur mundësinë që të kishte fëmijë në të ardhmen.
Rajli e ndan historinë e saj për të treguar përvojën e vështirë dhe për të nënvizuar rëndësinë e zbulimit të hershëm, sidomos kur simptomat vazhdojnë ose rëndohen.






