MTD: Mangësitë e evidentuara nga auditimi vijnë nga ish-MSHIA, po punojmë për t’i zgjidhur

Ministria e Transformimit Digjital (MTD) njoftoi se vërejtjet e auditimit lidhen me probleme të trashëguara, disa prej të cilave janë më shumë se dhjetëvjeçare. Një pjesë e tyre, sipas ministrisë, është zgjidhur, ndërsa për të tjerat po punohet. Reagimi erdhi pas publikimit nga Enti Shtetëror për Auditim të raportit për buxhetin e ministrisë për vitin 2024, ku përmenden, mes të tjerash, 16 objekte të regjistruara me vlerë nga një denar secili dhe 43 për qind e vendeve të punës të paplotësuara.

MTD-ja bëri të ditur se po shqyrton të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e auditorëve, duke i cilësuar ato mjete të rëndësishme për përmirësimin e veprimtarisë institucionale, disiplinës financiare dhe transparencës.

Të lidhura

None found

Sipas ministrisë, një pjesë e madhe e problemeve të konstatuara i përket periudhës së ish-Ministrisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës (MSHIA) dhe është akumuluar ndër vite. MTD-ja, e krijuar në vitin 2024, thotë se mori përsipër të dhëna të paplota, çështje pronësore-juridike të pazgjidhura, procese gjyqësore dhe mangësi administrative që më parë nuk ishin trajtuar siç duhej.

Ministria thekson se gjatë dhjetë viteve të fundit nuk është bërë inventarizim i plotë dhe përmbajtësor i pronës. Kjo ka krijuar mospërputhje të mëdha mes gjendjes në terren, regjistrimeve kontabël dhe dokumentacionit ekzistues.

Objektet e regjistruara me vlerë kontabël prej një denari janë, sipas MTD-së, dëshmi e të dhënave të trashëguara dhe të pasakta, e jo pasqyrim i vlerës së tyre reale në treg. Ministria thotë se ka nisur punën për sqarimin e statusit pronësor, përputhjen e të dhënave, sigurimin e dokumenteve të nevojshme dhe përmirësimin e administrimit të pronës shtetërore. Disa vërejtje janë adresuar, ndërsa për të tjerat po zbatohen masa konkrete korrigjuese.

MTD-ja shtoi se ka trashëguar gjithashtu disa procese gjyqësore, të cilat lidhen me vendime dhe detyrime të krijuara në vitet e mëparshme./Telegrafi/


Shtuar më 27.10.2026 15:36