Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ka pritur sot në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Pas takimit, Sali përmes një postimi në Fejsbuk ka vënë në dukje rëndësinë e lidhjeve vëllazërore ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas tij, këto marrëdhënie, të ndërtuara mbi historinë, gjuhën dhe kulturën e përbashkët, përbëjnë një vlerë që i afron dhe i bashkon qytetarët e dy vendeve.
“Lidhjet vëllazërore mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, të rrënjosura në historinë, gjuhën dhe kulturën tonë të përbashkët, janë një vlerë që na bashkon dhe na nxit të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve”, ka deklaruar Sali.
Ai ka bërë të ditur se do të vijojë angazhimin për thellimin e raporteve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe për përparimin e tyre në rrugën evropiane, me qëllim ofrimin e më shumë mundësive, zhvillimit dhe sigurisë për qytetarët.






