Pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet serbe, Shqipëria përgëzon shqiptarët e Luginës së Preshevës

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, duke shprehur urimet për Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin e siguruar.

Sipas Ministrisë, pjesëmarrja qytetare dhe vota e lirë mbeten themeli i shprehjes së vullnetit demokratik. Ajo vlerëson se përfaqësimi institucional hap mundësi për ndryshim, por njëkohësisht vendos përgjegjësi mbi ata që kanë marrë besimin e qytetarëve.

Të lidhura

None found

Rezultati i arritur nga shqiptarët e Luginës së Preshevës konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm. Projeksionet paraprake flasin për mundësinë e sigurimit të dy mandateve parlamentare, ndërsa gara për mandatin e tretë vijon të mbetet e hapur.

Shqipëria thekson se përfaqësimi i ri duhet të përdoret për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, sigurimin e trajtimit të barabartë dhe zgjidhjen e shqetësimeve të tyre legjitime.

Në zhvillimet e reja politike në Serbi, normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës shihet si një detyrim i rëndësishëm. Shqipëria pret që të vijojë angazhimi konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, zbatimi dhe respektimi i marrëveshjeve të arritura, si edhe ndërmarrja e hapave konkretë për krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore. Sipas saj, ndryshimet politike duhet të sjellin mundësi të reja për paqen dhe bashkëpunimin rajonal.

Ministria shprehet se Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet që do të formohen pas këtij procesi zgjedhor, duke u mbështetur te respekti i ndërsjellë, interesat e përbashkëta dhe synimi për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.


Shtuar më 26.10.2026 20:25