“Presioni i Ramës nuk na ndal”/ Studentët vijojnë protestën dhe kërkojnë largimin e kryeministrit: Fitorja në Serbi na frymëzon

Pas 14 ditësh protestash kundër qeverisë së Edi Ramës, studentët kanë reaguar ndaj paketës së re ligjore të njoftuar nga kryeministri, duke bërë të qartë se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kërkesat e tyre.

Të intervistuar nga News24 gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit, protestuesit deklaruan se nuk do t’i nënshtrohen presionit dhe se objektivi kryesor i lëvizjes së tyre është largimi i Ramës nga pushteti.

Të lidhura

None found

“Nuk mund t’i nënshtrohemi presionit të palogjikshëm të një personi të palogjikshëm”, tha një prej studentëve, duke kundërshtuar masat që pritet të ndërmarrë qeveria.

Një prej protestueseve rrëfeu se kishte diskutuar ashpër me disa deputetë të takuar rastësisht në rrugë, ndaj të cilëve, sipas saj, kishte shprehur pa rezerva kritikat e saj.

“U kam thënë vetëm të vërtetat deputetëve që kam parë në rrugë. Atyre u ka djegur”, deklaroi ajo.

E reja iu referua edhe situatës politike në Serbi, ku lëvizja studentore fitoi zgjedhjet parlamentare, duke e cilësuar këtë zhvillim si një burim shprese për ndryshime të mundshme edhe në Shqipëri.

“I kemi parë ngjarjet në Serbi dhe fitoren e studentëve atje. Ne jemi të fokusuar në largimin e Ramës. Më pas do të shohim”, u shpreh protestuesja.

Qëndrimet e studentëve u bënë publike pasi kryeministri Edi Rama njoftoi masa të reja ligjore ndaj asaj që e ka përshkruar si dhunë dhe anarki urbane.

Protestat vijojnë para Ministrisë së Arsimit, ku studentët këmbëngulin për dorëheqjen e kryeministrit dhe paralajmërojnë se tubimet do të vazhdojnë.


Shtuar më 26.10.2026 17:14