Demokratët Europianë kanë dalë sërish me një reagim ndaj kryeministrit Edi Rama, këtë herë për plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestave studentore në Tiranë.
Organizata kërkon që ngjarja të hetohet nga një strukturë e pavarur, personat përgjegjës të përballen me pasojat ligjore dhe policia të ndalojë përdorimin e forcës në mënyrë joproporcionale.
Të lidhura
None found
Sipas deklaratës, Vishkulli është goditur në sy nga një plumb gome i qëlluar nga policia, ndërsa shikimi i tij ndodhet tashmë në rrezik.
“Gjatë protestave në Tiranë, 28-vjeçari Erjon Vishkulli u qëllua në sy me një plumb gome nga policia. Shikimi i tij është në rrezik. Ne kërkojmë hetim të pavarur, vendosjen e përgjegjësisë dhe ndalimin e dhunës joproporcionale nga policia”, thuhet në reagim.
Demokratët Europianë e kanë kritikuar gjithashtu Ramën për mënyrën se si, sipas tyre, po përpiqet të paraqesë si meritë personale organizimin e trajtimit mjekësor të të riut.
Ata theksojnë se ky pretendim është hedhur poshtë publikisht nga familjarët e Erjon Vishkullit.
“Edi Rama po përpiqet të marrë meritat për organizimin e trajtimit mjekësor të të riut, edhe pse vetë familja e Erjonit e ka kundërshtuar publikisht këtë pretendim”, thuhet në deklaratë.
Demokratët Europianë i kujtojnë kreut të qeverisë se përgjegjësia për mbrojtjen e qytetarëve dhe garantimin e kujdesit shëndetësor i takon shtetit dhe nuk përbën një favor personal të kryeministrit.
“Zoti Rama, detyra juaj është të mbroni qytetarët, jo ta paraqisni këtë si bujari personale. Kujdesi mjekësor është e drejtë dhe jo favor i kryeministrit”, shprehen ata.
Reagimi mbyllet me kërkesën për përgjegjësi lidhur me plagosjen e 28-vjeçarit dhe me kritikën ndaj asaj që Demokratët Europianë e konsiderojnë si përpjekje për ta përdorur ngjarjen për përfitim politik.
“Shqipërisë i duhet përgjegjësi dhe jo vetëpromovim politik në kurriz të një të riu të plagosur”, përfundon deklarata.





