Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese për të shqyrtuar mënyrën se si Policia e Kosovës ka trajtuar të gjitha rastet e raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.
Procedura po zhvillohet me autorizim të Prokurorisë së Shtetit dhe synon të sqarojë në mënyrë të plotë veprimet, si dhe hapat proceduralë të ndjekur nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.
Të lidhura
None found
Në njoftimin e IPK-së bëhet e ditur se do të analizohet mënyra e pranimit, regjistrimit, vlerësimit dhe trajtimit të secilit raportim. Po ashtu, do të shqyrtohet nëse zyrtarët përgjegjës kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme ose nëse ka pasur raste kur ato nuk janë ndërmarrë.
Qëllimi i hetimit është të përcaktojë nëse veprimet e policisë kanë qenë në përputhje me ligjin, procedurat dhe detyrimet përkatëse. IPK-ja do të vlerësojë gjithashtu nëse ekzistojnë përgjegjësi individuale apo institucionale, në rast se evidentohen shkelje ose mangësi në trajtimin e rasteve.
Inspektorati ka deklaruar se, në bashkëpunim me institucionet kompetente të drejtësisë, do të angazhohet për një trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të çështjes, duke respektuar mandatin ligjor dhe integritetin e procesit hetimor.





