Vetëm pak orë para se të humbte jetën, Arlinda Zekaj u kishte bërë policëve një pyetje që sot shihet si paralajmërim tragjik për vrasjen e saj dhe si dëshmi e dështimit të institucioneve për ta mbrojtur.
“A duhet me më vra mua Jetoni, që ju policia atëherë ta arrestoni atë?”, kishte pyetur ajo, sipas raportit të organeve të ndjekjes, të datës 25 tetor 2026.
Të lidhura
None found
Rreth orës 17:58 të po asaj dite, Arlinda kishte dhënë deklaratën e fundit në polici. Ajo kishte rrëfyer se, pas një konflikti në banesë, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, e kishte kërcënuar dhe ia kishte nxjerrë rrobat në oborr.
“Pasi unë kam dalë nga banjo dhe e kam pritur lavatriqen që t’i përfundojë rrobat e anëtarëve të Jetonit, dhe pasi përfundoi lavatriqja, unë i kam futur rrobat e mija që të pastrohen, e kam lëshuar lavatriqen dhe shkova në kuzhinë për të ngrënë bukë. Vetëm kur e kam dëgjuar Jetonin duke bërtitur me të madhe dhe ka filluar që të më kërcënojë me fjalët: ‘Unë të thyej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon kështu me vepru, kush je ti’, dhe me pasi i kishte marrë rrobat e mija dhe i ka gjuajtur në oborrin e shtëpisë, siç edhe e kanë parë policia. Unë menjëherë nga frika e kam thirrur policin.”
Arlinda kishte deklaruar se telefonoi menjëherë policinë, pasi ishte frikësuar nga sjellja e tij.
Megjithëse kishte thënë se nuk ndihej plotësisht e sigurt, ajo nuk kishte pranuar të largohej në një strehimore. Arlinda kishte insistuar se nuk do të hiqte dorë as nga djali, as nga prona e saj.
“Nuk e ndi veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime”, thuhej në deklaratën e saj, sipas raportit policor.
Megjithatë, ngjarjet e raportuara më 25 tetor nuk përbënin fillimin e konfliktit me të cilin ishte përballur Arlinda.
Një pjesë e rëndësishme e çështjes lidhej me djalin e saj 12-vjeçar, i cili kishte shtetësi amerikane.
Sipas të dhënave të rastit, fëmija kishte shkuar për vizitë te axha i tij, por më pas nuk ishte kthyer te nëna. Arlinda pretendonte se familjarët e babait po e mbanin djalin dhe po e pengonin atë të kthehej tek ajo.
Denoncimi për këtë rast ishte bërë në polici më 10 korrik 2026 dhe ishte regjistruar me numrin referues 2026-DA-853.
Më 13 korrik, Arlinda ishte marrë në pyetje përsëri. Një ditë më vonë ishte intervistuar edhe Jeton Sylaj, bashkë me djalin, i cili kishte deklaruar se dëshironte të qëndronte te familja e babait.
Raportet hetimore, ndërkohë, kishin evidentuar se fëmija ishte lënë pa kujdes edhe nga babai i tij. Jeton Sylaj kishte udhëtuar drejt Amerikës më 5 shtator të 2026 dhe kujdestarinë e të birit e kishte lënë te palët e treta.
Përballë kësaj situate, Gjykata Themelore në Pejë kishte vendosur më 16 shtator që i mituri t’i kthehej nënës.
Gjykata kishte caktuar gjithashtu alimentacionin që duhej të paguhej, si dhe kishte nxjerrë urdhër mbrojtës ndaj afrimit të Jetonit me Arlindën.
“Jeton Sylajt i ndalohet t’i afrohet palës së mbrojtur, Arlinda Zekaj, në distancë prej 2 metrash në shtëpinë ku aktualisht qëndron pala e mbrojtur, si dhe në distancë prej 20 metrash në rrugë, qytet, fshat apo në vendin e saj të punës. Gjithashtu, i ndalohet të ushtrojë dhunë fizike ose psikike, t’ia bllokojë lëvizjen viktimës, ta ofendojë, ta shqetësojë apo ta kërcënojë palën e mbrojtur.”
Përveç raportit prej dhjetëra faqesh, të datës 16 tetor 2026, në këtë rast ekzistonin edhe vendime të organeve të drejtësisë të datave 23 tetor dhe 25 tetor. Në to, Arlinda kërkonte nga shteti zbatimin e vendimit për kthimin e djalit te ajo.
Më 23 tetor 2026, prokurorja Nora Tigani kishte ngritur aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për veprën penale të kanosjes, të paraparë në nenin 181, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë përshkruhej një varg kërcënimesh që, sipas dëshmive dhe materialeve të administruara nga prokuroria, i ishin drejtuar Arlindës.
“Kam me të mbyt”, “kam me të ngre zhag”, “as ushtria s’ka me mujt me të hek nga dora ime”, si dhe “s’ki me pa djalin nëse jam gjallë unë”, ishin disa prej shprehjeve të përfshira në dokument.
Kështu, kërcënimet e pretenduara ishin raportuar dhe për to ishin ndërmarrë veprime institucionale disa muaj para vrasjes.
Dy ditë para vrasjes, më 23 tetor, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për kanosje.
Më 25 tetor, disa orë para se të vritej, Arlinda u paraqit sërish në polici. Ajo raportoi kërcënimet dhe shprehu frikën se mund t’i rrezikohej jeta.
“A duhet më me më vra Jetonin, që ju ta arrestoni?”, ishte pyetja që ajo ua drejtoi policëve.
Ajo kishte raportuar dhunën, kishte folur për frikën që ndiente dhe kishte kërkuar të mos ndahej nga djali i saj.
Pas raportimit të radhës për dhunë, Arlinda ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga policia. Jetoni ishte arrestuar, pasi ndaj tij tashmë kishte kallëzim penal. Por, pak minuta pasi policia e kishte lënë Arlindën te dera e shtëpisë, ajo u vra me sëpatë nga kunati i saj.
Pyetja e saj drejtuar policëve, nëse duhej të vdiste që shteti të ndërhynte, mori përgjigjen më tragjike: Arlinda Zekaj u vra.





