Ambasada britanike në Prishtinë: Të gjithë ata që kërkojnë ndihmë duhet të mbrohen

Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka reaguar me pikëllim të madh pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet e Kosovës, pasi druhej se dhuna në familje po i rrezikonte jetën.

“Askush që merr guximin të kërkojë ndihmë nuk duhet të lihet pa mbrojtje”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Të lidhura

None found

Sipas ambasadës, gratë që përballen me rrezikun e dhunës në familje duhet të kenë mbështetjen e nevojshme për të arritur sigurinë, pasi kjo përbën një çështje thelbësore të sigurisë.

Ky rast, vlerëson ambasada, tregon domosdoshmërinë e masave institucionale ku të mbijetuarat vendosen në qendër, si edhe të bashkëpunimit të mirë ndërmjet institucioneve, përgjegjshmërisë dhe mundësisë për të pasur drejtësi.

Ambasada u ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve të viktimës, duke shpresuar se drejtësia do të vihet në vend.


Shtuar më 26.10.2026 19:36