“Afganistani nuk do përdoret kundër askujt”, zëdhënësi i talebanëve: Nuk duam që njerëzit të braktisin vendin!

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid u shpreh se talebanët nuk dëshirojnë që askush ta braktis vendin.

Ai shtoi se në ditët pasuese nuk do të ketë hakmarrje, por do të mbizotërojë një amnisti e përgjithshme.

Sot, militantët talebanë kanë dhënë konferencën e tyre të parë për shtyp, dy ditë pas vendosjes nën kontroll të plotë Afganistanin.

“Toka e Afganistanit nuk do të përdoret kundër askujt”, tha zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid, i pyetur në lidhje me rrezikun e strehimit të luftëtarëve të al-Kaedës në vend.

“Ne mund ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar për këtë”, u shpreh ai.

Mujahid tha se talebanët nuk dëshirojnë që askush të largohet nga vendi, pasi siguria për ta është e plotë.

“Askush nuk do të rrëmbejë askënd. Ne do të kemi më shumë siguri nga dita në ditë”.

“Ne nuk dëshirojmë që njerëzit të largohen nga vendi. Ekziston një amnisti e përgjithshme. Nuk do të ndiqet asnjë armiqësi me ata”.

Gratë do të gëzojnë të drejta sipas sheriatit [ligjit islam], thotë zëdhënësi Zabihullah Mujahid.

Mujahid është shprehur se Afganistani është një komb mysliman.

Sipas tyre, kur bëhet fjalë për përvojën, pjekurinë dhe vizionin, sigurisht që ekziston një ndryshim i madh mes tyre tani dhe krahasimit me 20 vite më parë.

“Ka një ndryshim në veprimet që do të ndërmarrim. Ky ka qenë një proces evolucionar”, thotë Mujahid.

Zabihullah Mujahid theksoi se talebanët po punojnë për të formuar një qeveri.

“Pasi të formohet qeveria, ne do të vendosim se cilat ligje do t’i paraqiten kombit. Një gjë duhet të them, ne po punojmë seriozisht për formimin e qeverisë, e cila do të shpallet së shpejti.Ne i kemi të gjithë kufijtë nën kontrollin tonë,” shton ai.

Ai, deklaroi se janë falur të gjithë, për hir të stabilitetit dhe paqes në Afganistan.

“Ata që humbën jetën si rezultat i luftës në krah të armikut është faji i tyre. Ne pushtuam të gjithë vendin brenda pak ditësh. Pas formimit të një qeverie, gjithçka do të jetë më e qartë.”/albeu.com/

 


Shtuar 17.08.2021 18:07