Pas një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje për furnizimin e tregjeve amerikane dhe ndërkombëtare me miliona tonë naftë ruse, fillimisht në mënyrë të menjëhershme dhe më pas gradualisht.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Truth Social, Trump e cilësoi komunikimin me Putinin si “jashtëzakonisht të suksesshëm”. Sipas tij, marrëveshja për energjinë ruse, së bashku me kontrollin që SHBA-të, siç pretendon ai, ushtrojnë mbi Ngushticën e Hormuzit, do të sjellë një rënie të shpejtë të çmimeve të naftës në Shtetet e Bashkuara dhe në tregjet globale.
Sipas detajeve të bëra publike nga presidenti amerikan, Rusia do të nxjerrë menjëherë në treg më shumë se 300,000 ton naftë. Një tjetër sasi prej 500,000 tonësh pritet të dorëzohet në nëntor.
Trump bëri të ditur gjithashtu se më pas do të shtohen edhe 1,000,000 tonë të tjerë, pa përcaktuar se kur do të realizohet kjo dërgesë. Ndërkohë, Moska thuhet se është zotuar të sigurojë edhe 3,000,000 tonë brenda një periudhe të shkurtër, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse.
Në rast se të gjitha sasitë e përmendura realizohen, vëllimi i përgjithshëm i furnizimeve do të jetë më shumë se 4.8 milionë tonë naftë.
Presidenti amerikan e paraqiti marrëveshjen si pjesë të përpjekjeve për të frenuar shpenzimet e energjisë, duke nënvizuar ndikimin që çmimet e larta të naftës kanë te bujqësia dhe transporti.

“Falë KONTROLLIT tonë TOTAL të Ngushticës së Hormuzit dhe këtij njoftimi të shkëlqyer mbi energjinë ruse, çmimet e naftës për amerikanët dhe në fakt për të gjithë botën do të ULEN, NË NIVELE REKORD, DHE SHPEJT!”, shkroi Trump.
Ai deklaroi se ulja e kostos së karburantit është një nga objektivat kryesorë të administratës së tij, sidomos për fermerët, blegtorët dhe drejtuesit e kamionëve, aktivitetet e të cilëve varen drejtpërdrejt nga çmimi i karburantit.
Në fund të reagimit të tij, Trump iu referua edhe programit bërthamor të Iranit.
“Për më tepër, duhet të kuptohet se Irani nuk do të ketë një armë bërthamore!”, u shpreh ai, duke përsëritur qëndrimin se Uashingtoni nuk do ta lejojë regjimin e Teheranit të pajiset me një arsenal bërthamor.
Njoftimi i marrëveshjes vjen ndërsa tregu amerikan i karburanteve po përballet me presion të fortë. Reuters raportoi se çmimet e naftës në SHBA janë rritur me rreth 70% që prej nisjes së luftës me Iranin dhe kanë arritur në 6.28 dollarë për galon.
Administrata amerikane po shqyrton mënyra për të ulur kostot, ndërsa kanë mbetur më pak se katër javë nga zgjedhjet e mesit të mandatit, të planifikuara për 3 nëntor.







