Operacion ndërkombëtar në Ballkan, 50 të arrestuar për trafik droge me kamionë

Një aksion i përbashkët ndërkombëtar kundër një organizate të trafikut të narkotikëve ka çuar në arrestimin e 50 personave në disa zona të Ballkanit Perëndimor.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të Europol-it, personat nën hetim dyshohet se janë të përfshirë edhe në vrasje, rrëmbime, përdorim armësh zjarri dhe sulme me granata dore në vende të ndryshme të Evropës. Faza kryesore e operacionit u zhvillua më 6 tetor, kur u kontrolluan 42 adresa në Slloveni dhe Spanjë, me angazhimin e autoriteteve të 22 shteteve. Në Slloveni u regjistrua numri më i lartë i ndalimeve, me 34 të arrestuar.

Hetimi përfshin shtetas nga Bosnje e Hercegovina, Serbia, Sllovenia, Bullgaria, Turqia dhe Holanda. Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi 66 kilogramë lëndë narkotike, mes tyre kanabis dhe amfetaminë, ndërsa u sekuestruan gjithashtu armë, para dhe sende floriri.

Autoritetet dyshojnë se anëtarët e rrjetit i kamuflonin narkotikët brenda ngarkesave të rregullta tregtare dhe i dërgonin ato me kamionë e furgonë në destinacione të ndryshme evropiane. Për komunikimin mes tyre, grupi përdorte aplikacione të enkriptuara, përfshirë SKY ECC dhe CryptCom.

Europol-i raportoi se konfliktet mes pjesëtarëve të rrjetit, si dhe dështimi i transportit të ngarkesave me drogë, shoqëroheshin shpesh nga episode të rënda dhune. Hetuesit kanë dokumentuar vrasje, tentativa vrasjeje dhe rrëmbime, ndërsa në disa raste shënjestër kanë qenë edhe familjarët e personave të përfshirë në grup.

Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, gjatë hetimit janë kapur sasi të mëdha kokaine, kanabisi, metamfetamine dhe substancash të tjera narkotike. Autoritetet kanë gjetur po ashtu armë dhe kimikate të përdorura për prodhimin e drogës.

Analiza e komunikimeve të përgjuara dhe e provave të mbledhura u ka mundësuar hetuesve të zbulojnë edhe transporte të tjera të dyshuara, ku përfshihen tonelata kanabisi dhe qindra kilogramë kokainë e heroinë.

Operacioni u drejtua në kohë reale nga një qendër operative e ngritur në Lubjanë, ndërsa Europol-i ofroi mbështetje analitike dhe operacionale për autoritetet pjesëmarrëse.


Shtuar më 9.10.2026 14:14