Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, zhvilloi një takim me delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Në takim morën pjesë edhe Sanja Lukarevska, kryetare e Komisionit për Financa dhe Buxhet, si dhe Pece Milevski, nënkryetar i Komisionit për Vetëqeverisje Lokale. Delegacioni përbëhej nga bashkëraportuesit për demokracinë lokale, Anders Knape nga Suedia dhe Matthias Gissin nga Zvicra, njoftoi Kuvendi.
Të lidhura
None found
Diskutimet u përqendruan te zbatimi i Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, si dhe te garantimi i të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në nivel vendor.
Gjatë bisedës, Gashi vlerësoi se decentralizimi përbën një shtyllë të rëndësishme të demokracisë, pasi u mundëson qytetarëve që vendimet me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre të merren, kur është e mundur dhe e arsyeshme, në nivel lokal, duke reflektuar nevojat dhe veçoritë e komuniteteve.
Sipas njoftimit të Kuvendit, kryetari Gashi rikujtoi se decentralizimi është një prej elementeve themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001. Kjo marrëveshje synonte fuqizimin e vetëqeverisjes lokale dhe rritjen e përfshirjes së qytetarëve dhe komuniteteve në vendimmarrjen në nivel lokal.
Pjesë e takimit ishin edhe diskutimet për pavarësinë e pushtetit vendor dhe ecurinë e decentralizimit, veçanërisht për autonominë dhe decentralizimin financiar. Po ashtu, u trajtuan kompetencat e kryetarëve të bashkive dhe të këshillave bashkiake.
Bashkëbiseduesit analizuan vështirësitë që hasin bashkitë në garantimin e qëndrueshmërisë financiare, në mbrojtjen e mjedisit, përballjen me ndryshimet demografike dhe forcimin e kapaciteteve administrative e institucionale. Në takim u shqyrtuan gjithashtu mundësitë për avancimin e mëtejshëm të vetëqeverisjes lokale./Telegrafi/
