Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, zhvilloi një takim me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë takimit u diskutua situata e sigurisë në Kosovë, si dhe bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me mandatin e saj fillestar.
Gjeneralmajor Ulutaş, i cili pritet ta përfundojë mandatin e tij në mesin e muajit tetor, vlerësoi bashkëpunimin pozitiv me Forcën e Sigurisë së Kosovës gjatë periudhës së shërbimit. Ai gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në zbatim të mandatit të përcaktuar nga OKB-ja.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes; këtë e bën në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si aktorë të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
