Bordi Drejtues i Fondit për Sigurim Shëndetësor ka aprovuar ndryshimet në rregulloren që përcakton kriteret për dhënien e pushimit mjekësor. Sipas sqarimit të Fondit, këto ndryshime nuk cenojnë as të drejtën për pushim mjekësor dhe as kohëzgjatjen e tij në rastet kur ai justifikohet nga gjendja shëndetësore.
Të lidhura
None found
FSSH-ja thekson se reduktimi i periudhës nga shtatë në pesë ditë nuk nënkupton ndërprerjen automatike të pushimit në ditën e pestë. Pas këtij afati, nëse pacienti ka ende nevojë për pushim, vijimi i tij përcaktohet në bazë të kritereve mjekësore që lidhen me diagnozën përkatëse.
Kompetenca e mjekut amë për pushime mjekësore deri në 15 ditë nuk ndryshon. Ndryshimet synojnë të thjeshtojnë procedurat administrative dhe të zgjerojnë mundësinë për përcaktimin elektronik, si edhe retroaktiv, të pushimit mjekësor.
Sipas Fondit për Sigurim Shëndetësor, rregullat e reja janë hartuar pas një analize profesionale disamuajshe të kritereve që kanë qenë në fuqi.
