Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me ashpërsi ndaj përdorimit të forcës kundër qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në. Kjo parti i kërkon Qeverisë të marrë përgjegjësi të menjëhershme dhe organeve shtetërore t’i japin fund çdo veprimi joproporcional që cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Të lidhura
None found
Sipas PDK-së, lufta e popullit të Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme. UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare përbëjnë një pjesë të pandashme të historisë, identitetit dhe lirisë së Kosovës, dhe mbrojtja e kësaj trashëgimie është detyrë qytetare e shtetërore që ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
PDK thekson gjithashtu se nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për të miratuar ligjin që mbron UÇK-në dhe për ta çuar deri në fund këtë proces. Vetë Qeveria e ka konfirmuar këtë në opinionin e saj, prandaj çdo zvarritje e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën një shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve.
Në protestë po marrin pjesë qytetarë, fëmijë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë, të cilët kanë një kërkesë të qartë për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të marrë përgjigje përmes veprimeve konkrete institucionale. Qeveria nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë për vendimmarrje me përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.
PDK i bën thirrje organeve shtetërore të ndalojnë dhunën ndaj protestuesve, pasi masat e përdorura kundër një proteste që ka qenë e qetë për 20 ditë me radhë janë tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme. Qëndresa e qytetarëve nuk mund të shihet si kërcënim dhe as të shërbejë si pretekst për ushtrim dhune.
Është e papranueshme që institucionet e sigurisë po përdoren në mënyrë skajshmërisht për qëllime politike ose për të shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve. Detyra e tyre është t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre, ndërsa çdo përpjekje për t’i vënë ato në shërbim të interesave të pushtetit përbën abuzim të rëndë me përgjegjësinë shtetërore.
Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për protestë.
PDK u bën thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe ta përmbyllin miratimin e ligjit që mbron UÇK-në. Përgjegjësia institucionale në këtë moment kërkon vendimmarrje, respekt për qytetarët dhe mbrojtje të dinjitetit të çlirimtarëve.
