Presidentja bullgare Ilijana Jotova deklaroi se Sofja është e gatshme të zhvillojë bisedime me Maqedoninë e Veriut, por theksoi se dialogu duhet të zhvillohet pa ultimatume dhe në përputhje me politikën e Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
Reagimi i saj erdhi pas mesazheve të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së kësaj të fundit në Shkup.
Jotova u shpreh “e moderuar optimiste” për zhvillimet e ardhshme dhe bëri të ditur se do t’i kërkojë ministres së Jashtme bullgare, Velislava Petrova Çamova, t’i përcjellë notën diplomatike të marrë nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski. Në këtë dokument kërkohet organizimi i një takimi bilateral në Sofje.
Nisma e Shkupit pasoi vizitën e Von der Leyen më 2 tetor. Sipas deklaratave të Mickoskit, presidentja e Komisionit Evropian e kishte këshilluar që hapi i parë të ishte kërkesa për një takim zyrtar me përfaqësuesit bullgarë. Pas kësaj, Mucunski i dërgoi Sofjes notën diplomatike për zhvillimin e bisedimeve me homologen e tij.
Kryeministri Mickoski ka kërkuar gjithashtu një përfshirje më të drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian në dialogun mes dy vendeve. Ai ka argumentuar se nevojitet një marrëveshje e qartë dhe e qëndrueshme, e cila do të përcaktojë detyrime të zbatueshme nga të dyja palët.
Presidentja bullgare nuk e mbështeti këtë qasje. Ajo theksoi se Shkupi nuk duhet ta trajtojë çështjen si një problem thjesht bilateral, pasi Bullgaria është pjesë e Bashkimit Evropian dhe procesi duhet të ndjekë politikën evropiane të zgjerimit.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Ursula von der Leyen rikonfirmoi se ndryshimet kushtetuese janë thelbësore për vijimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për hapjen e grupit “Themeloret”. Sipas saj, pas zhbllokimit të procesit, vendi mund të avancojë drejt një “roadmap” për etapën e ardhshme të integrimit.
Takimi i mundshëm mes përfaqësuesve të Shkupit dhe Sofjes pritet të mbahet javën e ardhshme, në kuadër të takimit ministror për Korridorin 8.
Ende nuk dihet nëse ky rivendosje e kontakteve diplomatike do të prodhojë hapa konkretë për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.(INA)
