Konferenca për shtyp e Irlandës, e planifikuar para ndeshjes së së dielës me Izraelin në Ligën B të Ligës së Kombeve, është shtyrë.
Të lidhura
None found
Kombëtarja irlandeze, e udhëhequr nga Heimir Hallgrimsson, do të ndeshet me Izraelin në Debrecen të Hungarisë të dielën, në orën 20:45.
Vendimi për shtyrjen e konferencës është marrë në një klimë të tensionuar, pasi në Irlandë janë bërë thirrje të shumta që përfaqësuesja të mos luajë kundër Izraelit për shkak të luftës në Gaza.
Qëndrimi pro Palestinës ka gjetur mbështetje të gjerë në vend, ndërsa Federata Irlandeze e Futbollit ka pranuar se këto përballje shoqërohen me shqetësim të madh.
Trajneri Hallgrimsson dhe një lojtar duhej të dilnin para gazetarëve në orën 10:15, përpara se skuadra të zhvillonte stërvitjen. Por konferenca u shty dhe ekipi irlandez nuk u shfaq as në qendrën stërvitore.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur se kur do të zhvillohet konferenca e re.
Irlanda e nisi këtë edicion të Ligës së Kombeve me një humbje, pasi të enjten në Prishtinë u mposht 1:0 nga Kosova.
Ndeshja me Izraelin pritet të ndiqet me vëmendje të veçantë, për shkak të situatës politike dhe thirrjeve për bojkot të takimit.
