Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte vendi ku Kombëtarja e Kosovës zhvilloi sot seancën e parë përgatitore për ndeshjet e ardhshme në kuadër të Ligës së Kombeve.
Programi i ditës së parë u përshtat me angazhimet e futbollistëve gjatë fundjavës. Lojtarët që kishin luajtur me klubet e tyre punuan në fushë, ndërsa ata që kishin pasur ndeshje të shtunën ose të dielën dhe kishin nevojë për rikuperim ndoqën programin në palestër.
Të lidhura
None found
Në stërvitjen në fushë morën pjesë Lindon Emërllahu, Baton Zabërgja, Leart Sadriu, Erblin Osmani, Vessell Demaku, Meriton Korenica, Dion Kacuri, Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Albion Rrahmani, Visar Bekaj dhe Amir Saipi.
Ndërkohë, Vedat Muriqi, Valmir Matoshi, Lumbardh Dellova, Ermal Krasniqi dhe Dion Gallapeni iu nënshtruan një programi rigjenerues në palestër.
Gjatë pasdites në grumbullim arritën Milot Avdyli, treshja e Hoffenheimit — Fisnik Asllani, Leon Abdullahu dhe Albian Hajdari — si dhe Arijanet Muriqi e Edon Zhegrova.
Për shkak të orarit të mbërritjes, këta futbollistë nuk patën mundësi të merrnin pjesë në seancën e parë të Kombëtares.
Me kompletimin e skuadrës, Kosova pritet të stërvitet nesër me grupin e plotë. Përzgjedhësi Franco Foda dhe stafi i tij tashmë janë përqendruar te përgatitja e ekipit për sfidat e radhës në Ligën e Kombeve.
