Shqipëria nis të shtunën aventurën në Nations League me përballjen ndaj Bjellorusisë, ndeshje që do të zhvillohet në orën 20:45. Për këtë takim, nga salla e konferencave të stadiumit “Air Albania”, foli mesfushori Ylber Ramadani.
Të lidhura
None found
Ramadani e cilësoi sfidën të vështirë dhe kërkoi që skuadra të tregojë më shumë seriozitet, ndërsa theksoi nevojën për të ndryshuar mentalitetin me synimin për të ecur përpara.
Sipas tij, trajneri e ka bërë të qartë që në fillim se kërkon një lojë të bazuar në presion të lartë. Ai shtoi se tekniku e analizon dhe e përgatit gjithmonë ndeshjen në mënyrë që Shqipëria të arrijë të befasojë kundërshtarin.
I pyetur nëse e sheh veten titullar, mesfushori u shpreh se nuk ka asnjë problem, duke kujtuar se edhe kur ka qenë në formën më të mirë nuk ka luajtur. Ramadani nënvizoi se, pavarësisht nëse do të aktivizohet apo jo, do të mbështesë shokët e skuadrës për objektivin e përbashkët.
Ai theksoi gjithashtu se çdo futbollist dëshiron të përfaqësojë vendin e tij, por vendimet për formacionin i merr trajneri. Për Ramadanin, më e rëndësishmja është që ekipi të fitojë, pavarësisht nëse ai do të jetë në fushë.
Duke folur për katër ndeshjet radhazi dhe kundërshtarin më të vështirë, Ramadani tha se futbolli ka ndryshuar dhe se çdo skuadër mund të shkaktojë surpriza. Megjithatë, ai bëri të ditur se objektivi i Shqipërisë është ta mbyllë grupin në vendin e parë.
