Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, deklaroi se “Dardanët” do të kërkojnë triumfin në secilën ndeshje, edhe pse e pranon se rruga drejt këtij objektivi nuk do të jetë e lehtë.
Të lidhura
None found
Gjatë konferencës për shtyp, tekniku gjerman bëri të ditur se skuadra kosovare është prekur nga mungesat për shkak të lëndimeve dhe disa pensionimeve. Megjithatë, ai vlerësoi ardhjen e futbollistëve të rinj.
Foda theksoi se ekipi mezi pret të zhvillojë katër ndeshjet e ardhshme dhe se përgatitja do të përqendrohet veçanërisht te sfida me Irlandën. Sipas tij, synimi mbetet fitorja në çdo takim, ndërsa, siç kishte thënë edhe Bajrami, disa lojtarë mungojnë për shkak të lëndimeve dhe disa të tjerë janë tërhequr.
Trajneri shtoi se në përfaqësuese janë ftuar edhe lojtarë të rinj. Ai e cilësoi ekipin me të cilin do të përballen si të mirë dhe të uritur për fitore, ndërsa nënvizoi rëndësinë e një loje me intensitet të lartë. Avantazh për Kosovën, sipas tij, është fakti që ndeshja luhet në shtëpi, ndaj shpreson te fitorja.
“Dardanëve” do t’u mungojnë disa futbollistë me përvojë dhe të rëndësishëm. Rexhbeçaj dhe Muslija nuk do të jenë në dispozicion për shkak të lëndimeve, por Foda ka në dispozicion 27 lojtarë të tjerë të nominuar, te të cilët shpreh 100 për qind besim. Në ditët në vijim, ai do të punojë për të përcaktuar formacionin ideal.
Kosova do të përballet me Irlandën të enjten.
