Destinacionet turistike të Pogradecit, Linit dhe Tushemishtit po tërheqin një numër në rritje vizitorësh nga jashtë vendit. Mes tyre ka turistë nga Amerika, Australia, Japonia dhe shtete të ndryshme të Evropës.
Gjatë periudhës janar-gusht, atraksionet dhe zonat turistike të Pogradecit janë vizituar nga rreth 500 mijë persona. Bazilika Paleokristiane e Linit renditet ndër pikat më të frekuentuara, me afro 6 mijë vizitorë, pjesa më e madhe e të cilëve të huaj.
Të lidhura
None found
Edhe Burimet e Drilonit, Parku Ujor Drilon–Tushemisht dhe Varret Monumentale të Selcës kanë ngjallur interes të konsiderueshëm. Juglindja dhe Shqipëria u japin turistëve të huaj mundësinë të eksplorojnë disa destinacione brenda një kohe të shkurtër, ndaj qëndrimet e tyre zgjasin nga një javë deri në dy muaj, siç ka ndodhur me një vizitor gjerman.
Turisti nga Gjermania ka treguar se kishte mbërritur në Shqipëri përmes Malit të Zi dhe ndodhej prej dy muajsh në vend. Ai kishte vizituar edhe Korçën, të cilën e cilësoi një qytet shumë të bukur, ndërsa në Pogradec kishte qëndruar prej dy javësh. Sipas tij, njerëzit janë të qetë dhe të çlodhur, Shqipëria është vërtet e bukur, ushqimi shqiptar është shumë i mirë dhe vendi ofron shumë hapësira tërheqëse për t’u parë.
Zona ka zgjuar interes edhe te vizitorët britanikë, të cilët vlerësojnë veçanërisht Liqenin e Ohrit, klimën e këndshme dhe mundësitë për të zbuluar destinacionet përreth tij.
Një turist nga Anglia ka thënë se ndodhej prej tetë ditësh në zonë. Ai e përshkroi Liqenin e Ohrit si të mrekullueshëm, me temperaturë shumë të këndshme dhe kushte fantastike për not. Gjatë vizitës kishte shkuar në Manastirin e Shën Naumit dhe kishte udhëtuar me varkë nëpër liqen. Për të ishte hera e parë në Lin, të cilin e konsideroi shumë të bukur, megjithëse theksoi se vapa ishte e fortë, sidomos për një anglez.
Rritja e numrit të turistëve është ndier gjithashtu në sektorin e akomodimit. Të dhënat tregojnë se rezervimet kanë vazhduar gjatë gjithë sezonit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e strukturave akomoduese mbeten të prenotuara edhe për muajin shtator.
Në vitin e kaluar, Pogradeci regjistroi rreth 450 mijë turistë përgjatë 12 muajve. Për këtë vit parashikohet që numri i vizitorëve të kalojë mbi 550 mijë deri në fund të vitit.
