Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës. Sipas tij, vendimi është marrë për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm në Kuvend dhe për shkak se procesi është përfshirë në përplasjet e dinamikave politike.
Të lidhura
None found
Sejdiu e kishte pranuar kandidaturën me synimin për të kontribuar në zgjidhjen e krizës institucionale. Emri i tij ishte dakorduar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje si kandidat jopartiak.
Në deklaratën e tij, ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë personat që e mbështetën dhe u ka bërë thirrje subjekteve politike që të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar. Sejdiu ka theksuar se Kosovës i duhen maturia, bashkimi dhe institucione më të forta.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq!
Para dy javësh, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës më kontaktuan dhe më ftuan në një takim të përbashkët me delegacionet e drejtuara nga liderët e LDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Në atë takim u bë e ditur se, pas bisedimeve të gjata, dy partitë kishin arritur marrëveshje që emri im të paraqitej si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës.
E kam parë këtë propozim si një shprehje të besimit të madh ndaj meje dhe si vlerësim për kontributin tim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesve të të dyja partive u shpreh mirënjohjen time të thellë për nderin që më bënë, për besimin e treguar dhe për përkrahjen gjatë gjithë këtij procesi.
Duke pasur parasysh periudhën e vështirë në të cilën ndodhet vendi dhe mundësinë që kriza institucionale të zgjerohej, pranova të kandidohem për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Asnjëherë nuk e kam vënë komoditetin personal apo indiferencën intelektuale mbi nevojën për t’i shërbyer vendit, veçanërisht në kohë krizash. Gjithmonë kam besuar se intelektualët dhe profesionistët kanë përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe se dijet e tyre, ashtu si aftësitë profesionale, nuk kanë vlerë nëse nuk i shërbejnë interesit të përgjithshëm.
Siç kam deklaruar edhe më herët publikisht, nuk kam synuar poste publike përtej angazhimeve akademike dhe profesionale. Arsyeja e vetme që më shtyu ta pranoja propozimin për të udhëhequr postin e Presidentit ishte dëshira për të ndihmuar në zhbllokimin e ngërçit institucional.
Kam besuar se partitë parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të tregonin vullnetin e nevojshëm për të kapërcyer ndasitë politike dhe çdo interes tjetër, duke i siguruar vendit institucione të qëndrueshme në një periudhë të vështirë e të mbushur me sfida.
Megjithatë, në kushtet e krijuara, kur nuk është siguruar mbështetja e nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe kur i gjithë procesi është zhvendosur në vorbullën e përplasjeve e dinamikave të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.
Për këtë vendim i kam informuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Përkrahja e gjerë që kam marrë gjatë këtyre ditëve, nga kolegë, miq, figura publike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe veçanërisht nga mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ka bërë krenar për punën time në shërbim të Republikës së Kosovës.
Kjo mbështetje ma ka forcuar edhe më tej bindjen se lojalitetin institucional dhe patriotizmin kushtetues i kam pasur gjithmonë si parimet kryesore të angazhimit tim institucional. Përkushtimi im, veçanërisht në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nuk ka qenë kurrë selektiv apo i kushtëzuar nga rrethanat, por gjithmonë parimor dhe profesional.
Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike apo për thellim të polarizimit. Ajo që nevojitet është maturia dhe bashkimi për forcimin e shtetit tonë.
Me sinqeritet të plotë shpresoj që partitë politike të arrijnë ta gjejnë një rrugëdalje nga ky rreth vicioz, i cili mbi të gjitha po ua zbeh qytetarëve shpresën për një të ardhme më të begatë për ta dhe familjet e tyre.
Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e krijuar mbi ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime. Kosova është mbi secilin prej nesh dhe të gjithë së bashku ia kemi për detyrë t’i shërbejmë me përkushtim, gjithmonë, në çdo kohë dhe pa kushte.
Sinqerisht,
Bekim Sejdiu
