Pas një muaji pune, komisioni i ngritur nga Këshilli Bashkiak i Divjakës për hartimin e relacionit kundër shkrirjes së bashkisë ka përfunduar materialin dhe ka nisur konsultimet me qytetarët përmes dëgjesave publike. Takimi i parë u zhvillua në Divjakë, ku salla u mbush me banorë të interesuar.
Mbledhja nisi me debate, pasi disa pjesëmarrës kërkuan praninë e deputetes së zonës dhe të përfaqësuesve të grupit që ka hartuar reformën territoriale.
Të lidhura
None found
Kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, prezantoi relacionin e përgatitur nga komisioni. Dokumenti pritet të paraqitet në Kuvend për të kundërshtuar projektin që parashikon bashkimin e Divjakës me Lushnjën. Gjatë fjalës së tij, Gorrea renditi argumentet që, sipas tij, përbëjnë bazë të fortë për mosmiratimin e kësaj shkrirjeje.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësuesi i opozitës, Eugen Verdho, deklaroi se qëndrimet e shprehura nga qytetarët do të përfshihen në materialin e komisionit, me synim mbrojtjen e statusit të Divjakës si bashki.
Pjesëmarrësit që morën fjalën u shprehën kundër bashkimit të bashkisë Divjakë. Ata kërkuan gjithashtu mbështetje për protestën që vijon prej 45 ditësh, duke bërë thirrje që në të të angazhohen edhe administrata, fermerët dhe bizneset.
Dëgjesat publike do të vijojnë gjatë ditëve të ardhshme edhe në njësitë administrative.
