I ftuar këtë të premte në emisionin “Në Shtëpinë Tonë”, të drejtuar nga Alban Musa, Gjergj Bojaxhi foli hapur për zgjedhjen e tij për të lënë qytetin dhe për t’u vendosur në fshat, si edhe për kënaqësinë që gjen në jetën e fermerit.
Ai tha se ambienti rural i ka sjellë më shumë qetësi, ndërsa kontakti i vazhdueshëm me natyrën ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën e tij të jetesës.
Të lidhura
None found
“Nuk lëvizet nga qyteti në fshat pa rënë dakord familja. Kur jam rikthyer nga Amerika, nuk më ka pëlqyer mënyra sesi ishte Tirana. Kam shkuar në male që shumë herët dhe jam i apasionuar pas natyrës”, u shpreh Bojaxhi.
Gjatë intervistës, ai ndau edhe detaje për pasionin ndaj përgatitjes së bukës në shtëpi. Bojaxhi tregoi se këtë e bën prej 25 vitesh dhe se edhe sot preferon ta marrë bukën me vete kur shkon në restorant.
“Që kur kam qenë në Amerikë e bëj vetë bukën. Brumin e lë për 48 orë të pushojë. Buka nuk është më në Shqipëri si dikur. Edhe në restorant e marr bukën me vete”, tha ai.
Megjithëse është larguar nga jeta urbane, Bojaxhi sqaroi se nuk i mungojnë qyteti dhe ritmi i tij, por njerëzit me të cilët takohej.
“Më merr malli më shumë për takimet me shokë dhe për takimet e punës”, u shpreh ai.
Një prej rrëfimeve më personale të tij lidhej me ditën e lindjes së djalit. Bojaxhi kujtoi momentin kur mori pjesë drejtpërdrejt në ardhjen e të birit në jetë.
“Djalit ia kam prerë vetë kërthizën në momentin që erdhi në jetë”, rrëfeu ai.
Gjergj Bojaxhi foli gjithashtu për vështirësitë që shoqërojnë rritjen e fëmijëve në Shqipëri. Sipas tij, prindërit përballen me pengesa të shumta dhe ecja përpara në vend nuk është e lehtë.
“Në Shqipëri duhet të jesh maskara për të ecur para”, tha ndër të tjera Gjergj Bojaxhi.
