Administrata e Berlinit është goditur nga një sulm i rëndë kibernetik, i ndodhur vetëm pak ditë para zgjedhjeve për Parlamentin e kryeqytetit gjerman.
Të lidhura
None found
Rreth 1.4 milionë të dhëna të vjedhura janë nxjerrë në “Darknet”, pasi autoritetet vendosën të mos paguanin shumën e kërkuar nga hakerët.
Përgjegjës për sulmin dyshohet të jetë grupi kriminal kibernetik Rhysida, i cili arriti të depërtonte në rrjetet e administratave të Ndërtimit dhe Transportit.
Sulmuesit kërkuan 30 Bitcoin, me një vlerë prej rreth dy milionë eurosh, duke paralajmëruar publikimin e materialeve në rast se pagesa nuk kryhej. “Berlini nuk do të lejojë të shantazhohet”, u shpreh kryebashkiaku Kai Wegner.
Pas refuzimit të kërkesës financiare, në “Darknet” u shpërndanë dosje personeli, dokumente zyrtare, fletëpagesa dhe kopje të dokumenteve të identitetit. Informacionet e ekspozuara mund të përfshijnë gjithashtu të dhëna lidhur me centrale energjetike dhe ngrohjeje, depo karburanti, sisteme emergjente të furnizimit me energji, burgje dhe ujësjellës.
Autoritetet bëjnë të ditur se hakerët kanë pasur qasje në sistemet administrative gjatë periudhës 7-14 gusht.
Dyshimet e para janë se ndërhyrja nisi pasi një punonjës i Administratës së Transportit hapi një email “phishing”, duke u krijuar pa dashje sulmuesve mundësinë për të hyrë në rrjet.
Senati i Berlinit ka krijuar një qendër koordinimi dhe po punon së bashku me autoritetet federale përgjegjëse për sigurinë kibernetike. Sipas autoriteteve, infrastruktura zgjedhore nuk është prekur dhe votimi për Parlamentin e Berlinit, i planifikuar për 20 shtator, nuk është në rrezik.
Në mesin e materialeve të publikuara ndodhen edhe dokumente që lidhen me projektin e debatueshëm për zgjerimin e Kancelarisë Federale, çka e prek në mënyrë të tërthortë edhe kancelarin Friedrich Merz.
