Andrew dhe Tristan Tate do të vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Shtetet e Bashkuara, ndërsa procesi i ekstradimit të tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar është ende në vijim.
Të lidhura
None found
Vendimi u dha nga një gjykatë federale në Miami. Gjykatësja Lauren Louis theksoi se dy vëllezërit përbëjnë “rreziqe të konsiderueshme arratisjeje”.
Sipas gjykatës, vëllezërit Tate nuk arritën të provonin se nuk ekziston rreziku që ata të largohen nga SHBA-ja apo se ka rrethana të posaçme që do të justifikonin lirimin e tyre.
Vëllezërit, që kanë shtetësi amerikane dhe britanike, u arrestuan në Miami më 18 korrik pas një kërkese të autoriteteve britanike. Ata synojnë ta kundërshtojnë ekstradimin në Mbretërinë e Bashkuar, ku përballen me akuza që përfshijnë përdhunimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
Sipas prokurorëve britanikë, Andrew Tate përballet me 42 akuza, ndërsa vëllai i tij Tristan me 17. Andrew ndeshet gjithashtu me akuza të tjera që kanë të bëjnë me materiale të pahijshme me të mitur dhe pornografi ekstreme.
Të dy vëllezërit i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza. Avokati i tyre në SHBA, Joe McBride, u shpreh se nuk është dakord me vendimin e gjykatës dhe se do të shqyrtojë me klientët e tij mundësinë e apelimit. Ai shtoi se lirimi me kusht do t’u krijonte vëllezërve më shumë hapësirë për përgatitjen e mbrojtjes.
Ndërkaq, prokurorët kanë vënë në dukje se pasuria, rrjeti ndërkombëtar dhe pasaportat e shumta të vëllezërve Tate e rrisin mundësinë që ata të largohen nga juridiksioni amerikan.
Autoritetet britanike e kanë afat deri më 16 shtator për të paraqitur kërkesën zyrtare të ekstradimit pranë Departamentit të Shtetit. Gjithashtu nuk është caktuar ende asnjë datë për seancën ku do të shqyrtohet kërkesa e ekstradimit të Andrew dhe Tristan Tate në Britani.
Çështja mbetet në fazën e procedurave ligjore dhe akuzat nuk përbëjnë një dënim. Vëllezërit Tate vazhdojnë t’i mohojnë ato.
