Myslim Murrizi i bën thirrjen e rëndësishme SHISH për të shkarkuar Ilir Metën

Ditën e sotme socialistët u mblodhën në ditë pushimi për të nisur hetimin 3 javor për Ilir Metën, me opozitën parlamentare. Gjatë diskutimit u ra dakord për t’u miratuar plani paraprak i hetimit duke ftuar edhe presidentin Meta që të paraqitet në Komision.

“Nëse Presidenti do ta vlerësojë, të vijë, është e drejtë e tij, por nga ana tjetër ky Komision ka të drejtën për ta thirrur Presidentin nëse e vlerëson të domosdoshme praninë e tij në Komision”, sqaroi Hyseni.

Plani paraprak i hetimit, i cili mori bekimin e deputetëve pritet të ndryshojë në ditët në vijim. Propozimet nuk munguan në ditën e parë.

“T’i kërkojmë zyrtarisht SHISH, Drejtorisë së Pergjithshme të Policisë dhe Antiterrorit çfarë informacionesh kanë patur gjatë 30 ditëve fushate. Çfarë ndikimi dhe efekti kanë pasur deklarata e Presidentit të Republikës për nxitje dhune”, tha Myslim Murrizi.

Spartak Braho shtoi:

“Të kemi edhe raportet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat në disa raste kanë trajtuar marrëdhëniet me Presidentin. Do të na duhen jo vetëm deklarimet, por edhe filmimet e deklarimeve te Presidentit me video, t’i shohim këtu”.

Socialistët po nxitojnë të kapin afatet me Parlamentin aktual, ku falë votave të opozitës parlamentare ka treguar se gëzon shumicën kushtetuese për të shkarkuar Ilir Metën. /albeu.com/