Meta i përgjigjet me të njëjtën monedhë Ramës: Vlora ka një spital psikiatrik

Presidenti i vendit Ilir Meta vijon që të jetë i ashpër në retorikën e tij në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se do të ketë vend në Vlorë, edhe pas 25 Prillit, ndërsa kujtoi se ky qytet ka një spital psikiatrik në funksion të plotë.

Meta tha se ai do të jetë pandalim në qytetin e Vlorës, pasi ky qytet duhet të jetë shembull në mbajtjen e zgjedhjeve, ndërkohë që shtoi se kjo nuk është një betejë mes tij dhe Edi Ramës, por një betejë për demokracinë.

“Ai nuk e di por presidenti mund të nxjerrë dekrete, Vlora ka hapësira dhe për të në të ardhmen, pas 26 Prillit. Ka një spital psikiatrik që duket shumë mirë nga jashtë, dhe ka një staf të devotshëm, ai është kuptuar që të korruptojë dhe burra, që turpërojnë familjen e tyre dhe vendin e tyre, por duhet ta dijë se në 25 Prill do ta marrë përgjigjen nga vajzat dhe nënat shqiptare që nuk duan më të jetojnë në shtëpitë e tyre të zbrazura. Në 25 Prill kushdo mund të bëhet kurban, por jo demokracia”, deklaroi Meta.

Meta zbuloi se kishte ftuar në një drekë informale me gazetarët dhe Damian Gjiknurin dhe Bujar Leskajn, por socialisti kishte refuzuar.

Meta tha se Gjiknuri është i nxitur nga Rama që të hedhë baltë dhe shpifje mbi presidentin.

“Së pari unë dje kam pasur një darkë informale me të gjithë gazetarët e Vlorës, në këtë darkë kanë qenë të ftuar dhe zoti Bujar Leskaj, dhe zoti Damian Gjiknuri, të cilin ftova vetë përmes një telefonate, se shpeshherë është i detyruar nga kryeministri që të shpifë për mua.

Darka e djeshme kishte fokus transparencën zgjedhore, që Vlora të jetë një shembull i mbajtjes së zgjedhjeve. Deri në 26 Prill do të jem në Vlorë, ditën dhe natën, duhet ta kenë të qartë se çdo skenar i zi do të jetë i papranueshëm. Ai ka shqetësimin se Ilir Meta përpiqet dhe bën gjithçka për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Meta nga Fieri.


Shtuar 10.04.2021 11:57