Platforma YouTube po shqyrton mundësinë e financimit të disa prej krijuesve më të mëdhenj të saj, në një përpjekje për t’i mbajtur ekskluzivisht në platformë dhe për t’i penguar që të kalojnë te Netflix apo shërbime të tjera konkurruese.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve të cituara nga “Bloomberg” dhe “Business Insider”, ofertat mund të përfshijnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për produksione me buxhet të lartë, si edhe ndarje të fitimeve që burojnë nga bashkëpunimet me marka.
Edhe pse deri tani nuk është bërë e ditur ndonjë kontratë përfundimtare, negociatat me disa emra të rëndësishëm raportohet se kanë avancuar.
Ndër krijuesit e përmendur janë Alan Chikin Chow dhe Nick DiGiovanni, ndërsa në fokusin e YouTube thuhet se ndodhen edhe dhjetëra figura të tjera të njohura. Në mesin e tyre është edhe Sean Evans, prezantuesi i emisionit “Hot Ones”.
Plani do të përfaqësonte një ndryshim të dukshëm për YouTube, duke e afruar gjithnjë e më shumë me mënyrën e funksionimit të studiove tradicionale dhe platformave të streaming-ut.
Sipas skemës së propozuar, krijuesit do të duhej ta publikonin përmbajtjen vetëm në YouTube për një periudhë të përcaktuar. Megjithatë, kohëzgjatja e kësaj ekskluziviteti nuk është bërë ende e ditur.
Në këmbim të këtij kushti, platforma do të siguronte fonde për projekte më ambicioze, si dhe mundësi të tjera për përfitime përmes partneriteteve komerciale.
Kjo nismë synon të frenojë kalimin e yjeve më të mëdhenj të internetit drejt Netflix-it, i cili gjatë viteve të fundit ka shfaqur interes në rritje për krijuesit dhe formatet që kanë krijuar audienca të mëdha në YouTube.
Burimet e raportuara pretendojnë gjithashtu se YouTube mund të ushtrojë presion në mënyrë indirekte ndaj atyre që nuk pranojnë marrëveshjet e ekskluzivitetit.
Krijuesit që vendosin të publikojnë materialet e tyre edhe në Netflix mund të kenë më pak mundësi për të marrë pjesë në fushata marketingu, evente promocionale ose bashkëpunime të caktuara me marka.

Këto pretendime, megjithatë, mbeten të bazuara në raportimet e burimeve dhe nuk janë konfirmuar publikisht nga YouTube.
Hapi i platformës shihet si një kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të Netflix-it për të tërhequr personalitetet online që kanë ndërtuar një bazë të gjerë ndjekësish.
Megjithatë, jo të gjithë krijuesit e konsiderojnë Netflix-in një mundësi të përshtatshme. Sipas raportimeve, disa prej tyre e kanë refuzuar platformën për shkak të kërkesës që videot të dorëzohen disa ditë përpara publikimit, si dhe kufizimeve që mund të vendosen ndaj sponsorizimeve dhe marrëveshjeve me marka.
Për krijuesit, këto kushte mund të nënkuptojnë më pak liri veprimi dhe kontroll mbi administrimin e biznesit të tyre.
Nëse kjo strategji rezulton e suksesshme, YouTube mund ta konsolidojë më tej rolin e saj si hapësira kryesore për krijuesit e pavarur, ndërsa njëkohësisht të vështirësojë depërtimin e Netflix-it në këtë sektor.
Përballja mes platformave mund t’u sjellë krijuesve më të mëdhenj financime më të larta, kontrata më të favorshme dhe ndikim më të madh mbi zhvillimin e karrierës së tyre.
Gara në industrinë e streaming-ut nuk lidhet më vetëm me filmat dhe serialet, por edhe me njerëzit që tërheqin miliona shikues në internet. /GazetaExpress/
