Duke filluar nga janari i vitit 2028, Sony nuk do t’i publikojë më lojërat e reja për “PlayStation” në disqe fizike. Kompania e njoftoi sot këtë ndryshim, i cili shënon një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të biznesit të saj të lojërave, transmeton Anadolu.
Të lidhura
None found
Sipas një njoftimi të publikuar në blogun e kompanisë, lojërat e reja të “PlayStation” do të mbeten të disponueshme në pikat e shitjes me pakicë. Megjithatë, paketimet fizike nuk do të kenë më disqe, por kode që mundësojnë shkarkimin digjital të titujve.
Sony e lidhi këtë vendim me transformimin e sjelljes së konsumatorëve dhe me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e argëtimit. “Ndërsa preferencat e konsumatorëve dhe industria e argëtimit në përgjithësi vazhdojnë të largohen nga disqet fizike drejt formatit digjital, ky është një drejtim i natyrshëm për ‘Sony Interactive Entertainment’ që të përshtatet me këto prirje”, deklaroi kompania.
Ky njoftim u bë vetëm pak ditë pasi Rockstar Games konfirmoi se edhe Grand Theft Auto VI, një prej lojërave më të shumëpritura, do të publikohet pa disk fizik. Këto vendime tregojnë se industria po e përshpejton kalimin drejt shpërndarjes në format digjital.
Megjithatë, masa e Sony ka shkaktuar kundërshtime nga disa përfaqësues të industrisë së lojërave dhe nga shitësit me pakicë. Kritikët vlerësojnë se ndryshimi mund të cenojë të drejtat e konsumatorëve dhe ta vështirësojë qasjen në lojëra.
Gazetarja e industrisë së lojërave Vikki Blake e cilësoi vendimin si “një goditje e rëndë ndaj të drejtave të konsumatorëve”. Sipas saj, lojtarët do ta kenë më të vështirë t’i huazojnë, shkëmbejnë ose rishesin lojërat, ndërsa do të krijohen gjithashtu probleme për ruajtjen e tyre.
Edhe Christopher Dring, redaktor i “The Game Business”, u shpreh i befasuar nga njoftimi, ndonëse shkarkimet digjitale tashmë përbëjnë mënyrën kryesore përmes së cilës përdoruesit e “PlayStation” blejnë lojëra. “Ne ende shohim miliona e miliona lojëra në PlayStation që shiten në format fizik”, tha ai, duke paralajmëruar se vendimi do të krijojë vështirësi për shitësit që vazhdojnë të varen nga shitjet fizike.
Kritika erdhën gjithashtu nga Lootbox Gaming, shitës i pavarur amerikan, i cili e përshkroi masën si “një sulm” ndaj lojtarëve, koleksionistëve dhe sektorit të shitjes së lojërave. Sony sqaroi se titujt e publikuar përpara janarit 2028 nuk do të preken nga ky ndryshim.
Vendimi është bërë publik ndërsa kompania po kritikohet edhe për mënyrën se si trajton përmbajtjen digjitale. Sony ka konfirmuar se mbi 500 filma dhe seriale televizive, të blera nëpërmjet “PlayStation Store”, do të largohen nga bibliotekat e përdoruesve pasi të përfundojë një marrëveshje licencimi me “StudioCanal”.
Kompania nuk ka sqaruar nëse do të krijojë një mekanizëm që u mundëson përdoruesve të transferojnë pronësinë e lojërave të blera në format digjital.
