Revistat shkencore BMC Zoology dhe BMC Ecology and Evolution organizojnë çdo vit një konkurs fotografik, i cili synon të vlerësojë imazhet që pasqyrojnë bukurinë dhe larminë e jetës në Tokë, si dhe të nxjerrë në pah punën e studiuesve që ndihmojnë në kuptimin dhe mbrojtjen e botës natyrore.
Të lidhura
None found
Në edicionin e fundit, fotografia fituese ka si protagoniste një pilivesë kureshtare, sytë e mëdhenj të së cilës shfaqen përmes vrimave të një gjetheje.
Imazhi fitues mban titullin “Dritare mbi Ligatinat” dhe është realizuar në Indi nga Sritam Kumar Sethy, student në Universitetin Berhampur. Nëpërmjet kësaj fotografie, autori kërkon të ofrojë një vështrim në botën shpesh të anashkaluar të biodiversitetit në ujërat e ëmbla. Pilivesat janë grabitqarë të rëndësishëm në ekosistemet e ligatinave dhe konsiderohen gjerësisht si tregues të shëndetit të këtyre ekosistemeve.
Vendin e dytë e zuri fotografia e Ryan Wagner, nga Universiteti Shtetëror i Uashingtonit, e cila tregon dy studentë gjatë punës në terren në një natë me shi pranë Portlandit, në Oregon, ndërsa i vendosin një transmetues radioje një bretkose për të studiuar lëvizjet e saj.
Kategoria “Marrëdhënie në Natyrë” u fitua nga Victor Huertas, i Universitetit James Cook në Australi, me një fotografi spektakolare ku shfaqen dy sepje gjigante australiane meshkuj që garojnë për një femër.

Ndërkohë, çmimi në kategorinë “Hulumtim në Veprim” iu dha Liam Brennan nga Universiteti i New Brunswick në Kanada. Fotografia e tij paraqet një grup studentësh universiteti duke studiuar popullatat lokale të peshqve nën dritën e hënës, në ujërat e cekëta bregdetare të provincës.

Një tjetër imazh i spikatur ishte ai i Allen Tian, studiues në Universitetin Queen’s në Ontario, Kanada, i cili fitoi çmimin e parë në kategorinë “Mbrojtja e Planetit Tonë”.

Ai paraqiti një fotografi stereoskopike të realizuar me dron mbi Long Sault Parkway, në skajin perëndimor të rrugës ujore të lumit St. Lawrence. Imazhi pasqyron ndikimin mjedisor të ndërtimit të një dige në të kaluarën, por edhe rimëkëmbjen ekologjike që mund të vijë si rezultat i përpjekjeve për ruajtjen e natyrës.
Nëpërmjet këtyre fotografive, konkursi synon të tregojë jo vetëm bukurinë e botës së egër, por edhe lidhjen mes kërkimit shkencor, biodiversitetit dhe përpjekjeve për mbrojtjen e planetit. /ANSA
