Ministria ka mbyllur hotelin dhe restorantin “Liqeni i Dukagjinit”, i ndërtuar në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit. Pas këtij vendimi, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka ngritur dyshime për mënyrën se si objekti është ndërtuar, shfrytëzuar dhe vënë në funksion.
Në një shkrim të publikuar prej tij, Zogiani thotë se bëhet fjalë për pronë publike, e cila i është dhënë me qira një operatori. Sipas tij, rasti përfshin një varg shkeljesh të mundshme të dispozitave ligjore.
Të lidhura
None found
Zogiani pretendon se objekti është ndërtuar mbi bazën e një “Pëlqimi” të dhënë nga Arben Çitaku, ish-sekretar i Ministrisë së Mjedisit.
“Ky Pëlqim është tërësisht joligjor, sepse pëlqime të tilla për shfrytëzim nuk jep MMPH”, shkruan ai.
Ai vë në pikëpyetje edhe vetë përmbajtjen e dokumentit. Sipas tij, edhe pse aty KRU “Radoniqi” autorizohej për shfrytëzim, dokumenti nuk lejonte kalimin e kësaj të drejte te një palë e tretë pa miratimin paraprak të ministrisë.
Po ashtu, Zogiani thotë se ky pëlqim bie ndesh me Ligjin për Ujërat dhe me Vendimin e Qeverisë për Radoniqin të vitit 2013. Sipas interpretimit të tij, vendimi ndalon veprimtaritë hoteliere dhe turistike në këtë hapësirë, e cila ka statusin e zonës sanitare dhe shërben si burim i ujit të pijshëm.
Një nga shqetësimet e ngritura prej tij ka të bëjë me përdorimin për të cilin ishte parashikuar fillimisht objekti.
Sipas Zogianit, ndërtesa, e ngritur gjatë viteve ’70 dhe e cila më pas është shembur e ndërtuar sërish, kishte destinacion ekskluzivisht administrativ. Për këtë arsye, ai pretendon se nuk duhej të përdorej për funksione të tjera.
Ai thotë gjithashtu se objekti duhej të kalonte nëpër procedurën e legalizimit, por kjo, sipas tij, nuk ka ndodhur.
Zogiani përmend ndër të tjera edhe mungesën e pëlqimit dhe lejes ujore, si dhe mungesën e autorizimit për transferimin e objektit te një palë e tretë.
Ai thekson se, edhe në bazë të pëlqimit të kontestuar për shfrytëzim, operatori kishte detyrimin të trajtonte ujërat e shkarkuara. Pretendimi i tij është se ky detyrim nuk është përmbushur.
“Janë edhe dhjetëra shkelje tjera që bëhen me teknike, por sot nuk po ju ngarkoj me shumë!”, shkruan Zogiani, duke lënë të kuptohet se për këtë çështje mund të ketë edhe shkelje të tjera, të cilat nuk i ka shtjelluar në shkrimin e tij.
