Një funksion i ri i inteligjencës artificiale, i prezantuar nga Google, u jep përdoruesve mundësinë të shtojnë pothuajse çdo element mbi pamjet satelitore të Google Earth, duke prodhuar kështu imazhe të rreme.
Të lidhura
None found
Në platformë është integruar Nano Banana 2, gjeneratori i imazheve me AI i kompanisë. Përmes udhëzimeve me tekst, përdoruesit mund të ndërtojnë skenarë të fabrikuar mbi pamje reale satelitore, ajrore ose 3D, ndërsa rezultatet mund të shkarkohen dhe të publikohen më pas në platforma të tjera.
Funksioni u vu në dispozicion të enjten. Gjatë provave të BBC Verify u gjeneruan pamje të rreme ku Kulla Eiffel shfaqej e shembur, Piramida e Madhe e Gizës përpihej nga një gropë gjigante dhe tanke ruse ndodheshin në qendër të Kievit.
Kjo mundësi ka shkaktuar shqetësim te ekspertët, të cilët vlerësojnë se ajo mund të përdoret për përhapjen e dezinformimit. Sipas tyre, fakti që pamjet ruajnë paraqitjen dhe autoritetin vizual të hartave të Google mund t’u japë atyre më shumë besueshmëri dhe t’u shërbejë aktorëve keqdashës për manipulimin e opinionit publik.
Google nuk dha menjëherë përgjigje për pyetjet që BBC Verify ngriti rreth rezultateve të testimeve. Megjithatë, kompania shkroi në rrjetet sociale se e trajton dezinformimin me shumë seriozitet, ndalon gjenerimin e imazheve për tema të dëmshme dhe përditëson në mënyrë të vazhdueshme masat e sigurisë.
Henk van Ess, ekspert për inteligjencën artificiale dhe dezinformimin, demonstroi rreziqet e teknologjisë duke prodhuar pamje të fabrikuara të një centrali bërthamor inekzistent në Iran, të një kampi refugjatësh në kufirin SHBA-Meksikë dhe të një spitali të rremë në Gaza, pranë të cilit shfaqej një krater bombe.
Van Ess tha se Google po mundëson lidhjen e pamjeve të trilluara me koordinata reale dhe materiale autentike satelitore. Sipas tij, një falsifikim nuk është e nevojshme të jetë bindës në vetvete, sepse besueshmërinë e merr nga harta mbi të cilën ndërtohet.
Kompania pohon se çdo material i prodhuar nga mjetet e saj të inteligjencës artificiale pajiset me filigranë të padukshëm, të cilët tregojnë nëse imazhi është krijuar ose manipuluar me AI. Google thotë gjithashtu se, në rast dyshimi, përdoruesit mund të kryejnë verifikimin përmes aplikacionit Gemini ose funksionit Google Lens.
Nga testet e BBC Verify rezultoi se këto mjete e bëjnë identifikimin siç duhet në shumicën e rasteve. Sidoqoftë, kontrollet mund të kapërcehen dhe Gemini mund të mashtrohet, duke i klasifikuar si autentike disa prej imazheve të rreme të prodhuara në Google Earth.
Edhe disa programe të palëve të treta, të projektuara për zbulimin e materialeve të krijuara me inteligjencë artificiale, nuk mundën t’i dallonin këto pamje si të manipuluara.
Henry Ajder, studiues në fushën e identifikimit të përmbajtjeve me AI, i tha BBC Verify se pamjet e fabrikuara nga zonat e konfliktit mund të kenë një efekt veçanërisht destabilizues. Rreziku, sipas tij, rritet kur zhvillimet ndodhin me ritëm të shpejtë dhe informacionet në dispozicion janë të pakta.
Ai vuri në dukje se gazetarët kanë mundësi ta kontrollojnë vërtetësinë e një fotografie përpara raportimit, por paralajmëroi se jo të gjithë do ta ndërmarrin këtë hap.
Google këmbëngul se modeli i vet i inteligjencës artificiale funksionon sipas rregullave që ndalojnë prodhimin e imazheve për çështje të dëmshme. Megjithatë, BBC Verify konstatoi se pengesat mund të anashkalohen duke bërë vetëm ndryshime të vogla në mënyrën se si formulohet kërkesa.
Në një nga provat, sistemi nuk e pranoi kërkesën për vendosjen e një platforme ekzekutimi pranë Parlamentit britanik. Kur e njëjta ide u paraqit me një formulim më të përgjithshëm, kërkesa u miratua dhe imazhi u gjenerua.

Në një test tjetër, mjeti refuzoi të krijonte një pamje me emrin “Trump” të kositur në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, por lejoi që në të njëjtën hapësirë të shfaqej një kopsht komunitar.
Ajder theksoi se, ndërsa interneti po mbushet gjithnjë e më shumë me materiale të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, platformat që deri tani shiheshin si burime të sigurta dhe të paprekura nga AI marrin rëndësi të veçantë. Kjo vlen sidomos për gazetarët dhe personat që punojnë në zona krizash.
Sipas tij, fakti që mundësia e krijimit me AI po vë në pikëpyetje edhe një burim tjetër informacioni, të konsideruar tradicionalisht të besueshëm, përbën një zhvillim shqetësues.
Google Earth shërben për shumë njerëz si porta kryesore e aksesit në pamjet satelitore publike dhe përdoret për shqyrtimin e territoreve ku hyrja është e vështirë.
Bill Greer, analist gjeohapësinor dhe bashkëthemelues i organizatës jofitimprurëse Common Space, deklaroi për BBC Verify se kjo teknologji rrezikon ta dëmtojë rëndë besimin publik. Ai kujtoi se pamjet satelitore janë vlerësuar historikisht si një prej burimeve më të besueshme të informacionit.
Greer shtoi se fotografitë satelitore të falsifikuara janë shfrytëzuar edhe më herët për të përhapur dezinformim. Ai paralajmëroi se, teksa qeveritë po vendosin gjithnjë e më shumë kufizime ndaj aksesit në të dhënat reale, mund të qarkullojnë më shumë imazhe të rreme dhe të ketë më pak pamje autentike, çka do ta gërryente më tej besimin e publikut.
