Ukraina evakuon me dron një ushtar të plagosur nga fronti, në atë që cilësohet si rast i parë në botë

Ukraina njoftoi se ka realizuar evakuimin e parë në botë të një ushtari të plagosur nga vija e frontit, duke përdorur një dron.

Gjendja e ushtarit e bënte të pamundur nxjerrjen e tij nga toka, pasi zona ishte e rrethuar me mina dhe monitorohej nga dronë armiqësorë.

Të lidhura

None found

Përballë kësaj situate, Brigada e 92-të e Sulmit ndërmori një operacion të pazakontë, të cilin e cilëson si të paprovuar më parë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Videot e publikuara të hënën tregojnë momentin kur droni ulet mbi pozicionin ku ndodhej ushtari dhe vendoset me saktësi mbi të.

Ushtari, i identifikuar si pjesëtar i Brigadës së 30-të të Mekanizuar, ishte plagosur në pozicionin e tij. Në pamje ai shihet teksa fiksohet në një pajisje të posaçme mbajtëse, të përbërë nga rripa sigurie.

Mjeti fluturues i përdorur në këtë operacion përshkruhet si një “heksakopter i rëndë”, i cili zakonisht përdoret për të hedhur bomba në pozicionet e armikut.

Pas përfundimit të lidhjes së ushtarit, droni ngrihet dhe e transporton atë në ajër.

Regjistrimi vijon me lëvizjen e ushtarit drejt një zone të sigurt, ndërsa droni kalon mbi majat e pemëve dhe rrugët.

Brigada deklaroi se evakuimi përfundoi me sukses. Ushtari po merr trajtim mjekësor dhe, sipas njoftimit, nuk ndodhet më në rrezik për jetën.


Shtuar më 19.10.2026 19:17