Modeli BMW 3.0 CSL konsiderohet një ndër krijimet më emblematike në historinë e prodhuesit gjerman. I derivuar nga 3.0 CSi, CSL ishte një variant i lehtësuar, i homologuar për kompeticion dhe i ndërtuar për të marrë pjesë në garat nëpër pistat evropiane. Falë pjesës së përparme agresive dhe spoilerit të madh pas, makina u pagëzua me nofkën “Batmobile”.
Të lidhura
None found
Kompania italiane Riverti Automobili ka zbuluar tashmë projektin e saj të ndërtuar mbi BMW M2, të cilit ia ka rindërtuar plotësisht karrocerinë për të evokuar dizajnin e këtij legjendari të viteve ’70.
Sipas kompanisë, qëllimi është rikthimi i këtij dizajni duke bashkuar pamjen klasike me platformën teknike bashkëkohore të BMW M2. Imazhet e para të publikuara shfaqin një pjesë ballore me katër fenerë rrethorë, një siluetë të theksuar të stilit “hundë peshkaqeni”, harqe të zgjeruara të rrotave dhe spoilerë të përmasave të mëdha.
Në pjesën e pasme bie në sy një spoiler i montuar mbi kapakun e bagazhit, ndërsa detaje të tjera të jashtme janë huazuar drejtpërdrejt nga makinat garuese të BMW-së të asaj periudhe. Për karrocerinë e zgjeruar, Riverti ka përdorur gjithashtu komponentë prej fibrash karboni.
Deri tani, Riverti nuk ka publikuar emrin e projektit dhe as të dhëna për fuqinë, masën, numrin e njësive që do të prodhohen apo çmimin. Firma italiane e përshkruan automjetin si një makinë retro të ngritur mbi një bazë moderne, e jo si një “restomod” — domethënë jo një automjet të vjetër që është restauruar dhe pajisur me teknologji të re.
Nëse motori origjinal i BMW M2 mbetet i pandryshuar, flitet për një njësi 3.0-litërsh me gjashtë cilindra në linjë dhe dy turbo. Varianti aktual i M2 prodhon 480 kuaj fuqi, ndërsa versioni M2 CS arrin deri në 530 kuaj fuqi.
Vetë BMW kishte prezantuar në vitin 2023 një interpretim modern të 3.0 CSL, të ndërtuar mbi M4 dhe të kufizuar në vetëm 50 ekzemplarë. Projekti i Riverti-t ndjek një rrugë tjetër, duke marrë për bazë M2-në më kompakte për të risjellë pamjen e ikonës së viteve ’70.
